Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike që janë marrë nën hetim pas incidentit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës më 16 shkurt, kanë dalë sot në një konferencë për mediat. Në kamerat e sigurisë shfaqen Flamur Noka së bashku me Enkelejd Alibeajn, Gent Strazimirin, Klevis Balliun, Xhemal Gjunkshin dhe Anton Frrokajn duke hyrë me dhunë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.
Ish-deputeti Alibeaj shpjegoi se çfarë kishte ndodhur mbrëmjen e 16 shkurtit pas protestës opozitare, kur kishin filluar shoqërimet e disa pjesëmarrësve në protestë.
Sipas Alibeajt, ai dhe 5 deputetët e PD-së (në atë kohë nuk i kishin dorëzuar ende mandatet) kërkuan të merrnin informacion lidhur me shoqërimet dhe arrestimet e policisë. Por, sipas tij, kjo e drejtë kushtetuese që ka deputeti, iu mohua. Enkelejd Alibeaj tregoi gjithashtu se në zyrë gjetën drejtorin e Policisë së Tiranës, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nëndrejtorët dhe prokurorin e çështjes duke konsumuar alkool.
Sipas Alibeajt dhe 5 ish-deputetëve të tjerë demokratë, ata u sulmuan nga drejtuesit e policisë.
Ndërkohë, ish-deputeti tjetër Flamur Noka sqaroi se ka qenë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit që kishte kapur Gent Strazimirin, dhe ishte përpjekur për ta larguar.





