Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit të Serbisë, Goran Vesië, dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë, Jelena Tanaskoviç, në lidhje me aksidentin tragjik në stacionin hekurudhor muajin e kaluar.
Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb më 1 nëntor, duke i lënë 15 njerëz të vdekur dhe dy të lënduar.
Prokuroria në Novi Sad tha në një komunikatë të hënën se 13 të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si, krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Aktakuza është ngritur pas përfundimit të hetimeve për shembjen e strehës, sipas Prokurorisë.
Aksidenti ndodhi pasi stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i udhëhequr nga Kina.
Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.
Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie.
Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksandar Vuçiç, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në katër universitete shtetërore, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar në solidaritet me protestat.
Studentët gjithashtu kanë marrë pjesë në protesta ditore, duke e bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë./rel