INDI Ashtu siç ishte paralajmëruar autoritetet indiane propozuan një ligj që ashpërson masat ndaj të gjithë përdhunuesve. 

Në projekt-ligjin e hartuar nga qeveria kërkohet dënimi me vdekje për të gjithë përdhunuesit që vrasin apo braktisin në gjendje vegjetative viktimën e tyre, si dhe rritje të dënimeve për krime të tjera që lidhen me këtë vepër, si ngacmimi seksual etj.

Propozimi mbërriti pas protestave të shumta që përfshinë Nju Delhin në muajin dhjetor dhe në ditët e para të janarit. Protestat pasuan vdekjen e një studenteje 23-vjeçare, viktimë e përdhunimit nga gjashtë persona.

Protestuesit kërkuan dënimin me vdekje për autorët që kanë dalë para drejtësisë. Pesë prej tyre vetëdeklarohen të pafajshëm, ndërkohë që i gjashti do të gjykohet nga një gjykatë për minorenë për shkak të moshës së tij.