Pavarësisht se është segmenti me përqëndrimin më të lartë të bizneseve, rruga nacionale Durrës-Shijak ka mbetur njësoj së rreth 3 dekada më parë.

Përveç ndonjë arnimi që i është bërë në vite të ndryshme, rruga ka mbetur në pjesën më të madhe të të gjithë gjatësisë së saj tërësisht e shkatërruar, me gropa të thella plot ujë e baltë, me asfaltin gjithë gunga.

Shoferët dhe banorët e zonës shprehin për DurrësLajm keqardhjen e tyre për mungesën e vëmendjes së autoriteteve qendrore dhe vendore për asfaltimin e këtij aksi dhe sigurimin e parametrave normal rrugorë. Ata jetojnë në një nga zonat më të pasura të vendit, me investime të shumta private, në prona dhe biznese, por rruga nacionale i kthen në periudhën e komunizmit.

Që prej ndërtimit të autostradës Tiranë-Durrës, rruga Durrës-Shijak duket se është anashkaluar e lënë në hije të plotë. Në këtë rrugë, kjo gjendje vazhdon të mbetet e njëjtë për vite me radhë.

Ndryshe nga sektori privat që këtë zonë e ktheu nga një tokë bujqësore ndër vite, në një ndër zonat me zhvillimin më të madh industrial dhe ekonomik, asnjë qeveri nuk ka investuar në infrastrukturë. Përveçse emërtimit, asgjë tjetër nuk ka të përbashkët ky aks me një rrugë nacionale.

Jo më e gjate se 5 km, segmenti rrugor është lënë në harresë. Asfalti i hedhur dekada më parë po shkon drejt zhdukjes. Këtu prej vitesh askush nuk investon. Gropat janë aq të mëdha, saqë makinat thuajse mund të fiken. Evitimi i gropave në këtë aks, në jo pak raste është bërë shkak për aksidente.

Ne këtë rrugë të rëndësishme jo vetëm për komunitetin e zonës, nuk ka ndriçim. Sinjalistika vertikale dhe horizontale mungon. Sistemi i kanalizimeve anësore mbetet një tjetër problem.    

K.H.