Prej të paktën një muaji, në Durrës janë rikthyer turet e organizuara turistike. Ndryshe nga muajt e dimrit, kur kryesisht udhëtimet e turistëve ishin individuale, tashmë në rrugët e qytetit bregdetar sheh grupe të organizuara, të ardhura nga vende të ndryshme të Evropës.

Një grup nga Bullgaria po zhvillon një udhëtim disa ditor në Durrës. Historia antike dhe trashëgimia e pasur kulturore mbeten asi më i fortë, që Durrësi ka në sytë e të huajve.

“Më tërheq shumë historia juaj. Për Durrësin mendoj që është fantastik. Më vjen keq që nuk e kam vizituar më parë qytetin tuaj. Ndodhemi këtu për një tur 4 ditor dhe mendoj se do ta njohim më së miri qytetin”,- thotë për “DurrësLajm” një turist bullgar.

Në këto ditë të fundit të marsit, Durrësin po e vizitojnë edhe shumë turistë që vijnë në mënyrë individuale për t’u njohur nga afër me Shqipërinë. Jehona e promocionit që i është bërë vendit tonë në mediat ndërkombëtare duket se e ka dhënë efektin e pritur nga autoritetet dhe operatorët turistikë. Turistë nga Anglia, Gjermania etj ndihen të habitur që kanë nisur të dëgjojnë për vendin tonë vetëm vitet e fundit, ndërkohë që vizitonin rregullisht vendet fqinje si Greqia, Mali i Zi etj.

“Shqipërinë e zbulova një vit më parë dhe vendosëm që ta vizitojmë tani. Keni një histori mjaft interesante, jeni një vend i bukur. Do të qëndrojmë 8 ditë këtu, por ende nuk e kemi vendosur cilat qytete do të vizitojmë. Më pëlqejnë shumë edhe çmimet, tek ju është shumë lirë. Po qëndrojmë në një apartament shumë të mirë. I kam vizituar të gjitha vendet e rajonit dhe më vjen keq që nuk kamë qenë më parë në Shqipëri”.

“Sapo pamë amfiteatrin antik. Është një vend fantastik dhe do të rikthehemi sërish ta shohim më imtësisht, pasi monumente të tilla janë të rralla.”,- rrëfen një çift anglez.

“Kemi ardhur dje në Durrës dhe na duket një qytet i këndshëm. E vizitojmë për herë të parë vendin tuaj. Na pëlqen këtu. Çmimet në hotel dhe restorant janë shumë të lira. Do të qëndrojmë disa ditë këtu.”– tregon një turist gjerman.

2 vitet e fundit, sezoni turistik në Durrës nuk kufizohet vetëm në 3 muajt e verës, ndërkohë që autoritetet vendore dhe qendrore synojnë për një turizëm gjithë vjetor në qytetin bregdetar.

M.B.