Goli fantazmë që i lejoi Panamasë kualifikimin e parë historik në Kupën e Botës, konsiderohet nga Presidenti i Fifas Gianni Infantino, si një assist për sistemin e teknologjisë Var.
"Kur në lojë është kualifikimi për në Botëror dhe rezultati vendoset mbi një gabim të rëndësishëm në interpretimin e arbitrit, që mund të ndodhë sepse në fund të fundit arbitrat janë qënie njerëzore e jo të pagabueshëm, atëherë është momenti i duhur për t’i korrigjuar ato. Kur e gjithë bota e sheh një gabim në pak sekonda dhe i vetmi që nuk e sheh atë është arbitri, jo sepse nuk do por sepse nuk mundet, atëherë ne kemi mundësinë për ta korrigjuar atë dhe ndaj duhet të bëjmë një hap përpara në këtë drejtim".
Infantino nuk e fsheh qëllimin e tij për të inkorporuar sistemin Var që në Botërorin e verës së ardhshme në Rusi.
"Jemi gati për implementimin e saj, nuk ka asnjë indikacion negativ në të gjitha testet që kemi zhvilluar. Çdo herë që sistemti i videos është vënë në përdorim ka dhënë rezultate pozitive, duke konfirmuar vendimin e arbitrit, ose duke rregulluar një gabim. Objektivi i Var nuk është të korrigjojë detajet e vogla por gabime madhore që mund t’i japin një drejtim komplet tjetër një ndeshjeje."





