Është zhvilluar në Durrës, Konferenca IV Infermieristike në kuadër të vijimit të seminareve dhe konferencave të organizuar nga drejtoria spitalore dhe universiteti “Aleksandër Moisiu”. Lektorë në këtë konferencë janë specialistë të njohur të departamenteve të shumta të mjekësisë, ndërsa theksi është vënë tek kujdesi infermieror ndaj popullatës në nevojë. Konferenca është ndjekur nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtues të spitalit, ISKSH-së, urdhërit të infermierit etj.

Drejtori i politikave shëndetësore në Ministri, Pëllumb Pipero, e ka vlerësuar mbajtjen e kësaj konference duke theksuar se përveç rritjes së cilësisë së shërbimit të infermierëve ndaj pacientëve, synohet edhe cilësia e etikës profesioanle. Në konferencën e infermierëve u mbajtën 28 referime nga përfaqësues të spitalit të Durrësit. Qëllimi i konferencës kishte të bënte edhe me trajnimin e personelit të mesëm dhe të lartë të infermierëve.

Drejtori i spitalit, dr. Taulant Baku, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm organizimin e konferencave të tilla duke theksuar se takimet sjellin ballafaqimin e realitetit me të rejat shkencore. Baku është shprehur se Durrësi në të gjitha shërbimet mjekësore ka bërë hapa të mëdha para si në drejtim të përkushtimit dhe specializimit të personelit të lartë e të mesëm, edhe në drejtim të imazhërisë. Baku e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme punën profesionale dhe shkencore të infermierëve duke kujtuar se gjysma e personelit të spitalit të Durrësit janë infermierë.

“Janë inisiativa shumë mirë të organizuara. Ndihem shumë mirë sot që infermierët pavarësisht punës së tyre në praktikë çdo ditë, gjejnë kohë për konferenca të tilla shkencore”,- tha Baku. Deri para pak vitesh spitali i Durrësit kishte 70 përqind të infermierëve me arsim të mesëm, ndërsa aktualisht vetëm 20 përqind e tyre janë të tillë, pasi pjesa tjetër i është nënshtruar vijimit të studimeve me kohë të pjesshme.

Drejtoria spitalore ka caktuar si afat përfundimtar të diplomimit edhe të pjesës tjetër të personelit të mesëm të bluzave të bardha kohën prej 5 vitesh, periudhë e mjaftueshme për të mbyllur përfundimisht ciklin e arsimit të plotë. Grupi organizator i konferencës, së drejtuar nga dr. Lida Boshku ka vënë në epiqendër të takimit sjelljen e përvojës së infermierëve për një sërë temash të rëndësishme. Senaca e parë i është kushtuar tërësisht kirurgjisë dhe referentë janë bërë bluzat e bardha: E. Dabaj, A. Cuni, L. Musaj, E.Selimaj, L. Lami, D. Bardhi, L. Cuku, S. Marku, B. Skuqi.

Auditori, me prani shumë të gjerë të infermierëve nga i gjithë qarku, mjek e specialistë, është interesuar në seancën e pyetjeve të mësojë detaje lidhur me tematikat e bëra objekt referimi. Tema të tilla si “Kujdesi infermieror tek fëmijët me trupa të huaj në rrugët e frymëmarrjes”, “Kujdesi në pacientët me traksion”, “Vetëkontrolli i gjirit dhe ekzaminimet rutinë të tij”, “Kujdesi në pacientë me epistakis” apo “Dhënia e ndihmës së parë në traumat e shkaktuara nga aksidentet rrugore” janë ndjekur me vëmendje të madhe për shkak edhe të ndjeshmërisë së përditshme në popullatë.

Seanca e dytë i është kushtuar patologjisë me 15 referime nga A. Pashkaj, A. Çoba, N. Bushi, E. Lini, Sh. Ballgjini, V. Kocllari, A. Hasaj, T. Emini, E. kllojka, E. Zeqaj, D. Cela, E. Meçe, L. Shabani. Edhe në këtë seancë temat kishin të bënin me kujdesin infermieror dhe demostrime rast pas rasti. Kështu i lexuan kumtesa të tilla si “Kujdesi infermieror në të sëmurë me dekubituse”, “Kujdesi infermieror në barrën ektopike”, “Kujdesi në infeksionet post-partum”, “Reanimimi i të porsalindurit” e të tjera tema.

Spitali rajonal i Durrësit ka aktualisht 360 infermierë gjithsej që punojnë në të gjitha shërbimet, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre janë me arsim të mesëm. Për kualifikimin e mëtejshëm të tyre së shpejti do të hapet një degë e re në fakultetin e mjekësisë, por në këtë konferencë nuk u tha konkretisht se në cilin vit akademik do të mundësohej një gjë e tillë.