Nga Mila Ballhysa
Mes grupit të 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, të cilët dolën vullnetarë për të shkuar në Itali në ndihmë të bluzave të bardha atje është dhe infermierja nga Durrësi, Lindita Hasa.
U bënë tre javë tashmë që Lindita punon në infektivin e spitalit të Breshias, në një nga zonat e goditura më rëndë nga Covid-19.
“Fatmirësisht situata ka nisur të përmirësohet,– thotë ajo, ndërsa shton se,- ka rënie të numrit të personave të prekur me koronavirus dhe njëkohësisht ka më pak vdekje”.
Por si e mori vendimin për të shkuar dhe punuar në vijën e parë të luftës me armikun e padukshëm, si ndihet aty mes kolegëve të saj italianë, cila është frika e saj më e madhe gjatë kësaj periudhe dhe cila është gjëja e parë që do të bëjë kur të kthehet dhe të dalë nga karantina? Përgjigjet e këtyre pyetjeve por dhe shumë të tjerave, Linda, ashtu siç e thërrasin të gjithë, i zbuloi gjatë rrëfimit të saj për DurrësLajm.
“Vendimin për të shkuar në Itali e mora vetë, më pas ia komunikova familjes. E dija se nëse do t’i pyesja do më thonin jo, pasi mamaja është e paralizuar prej vitesh dhe është mësuar të më ketë përherë pranë. Unë u regjistrova që në fillim fare, bëra aplikimin direkt sapo ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shpalli aplikimin për vullnetarët. Unë isha e gatshme, të punoja kudo, në Durrës, Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër, kudo ku do kishin nevojë. Nuk e kisha menduar asnjëherë punën në një spital italian, por kur më erdhi telefonata dhe më pyetën unë u përgjigja direkt, pa e menduar dy herë: Jam dakort, do shkoj vullnetare në Itali! Mami ishte ajo që e përjetoi më keq. Madje edhe tani sa herë flasim në telefon më thotë ç’më bëre, por unë e qetësoj duke i thënë se dhe pak ka mbetur dhe do kthehem shpejt”,– thotë Linda.
Prej mëse tre javësh ajo shërben në infektivin e spitalit të Breshias, është në kontakt të vazhdueshëm me pacientë të prekur nga koronavirusi dhe është mëse e kuptueshme që frika ekziston.
“Normal që kam frikë, por mundohem të tregohem e kujdesshme. Madje kolegët më thonë ndonjëherë se edhe e teproj pak me kujdesin, por është e domosdoshme të ruhemi. Këtu ku punojmë ne ka pasur shumë staf mjekësor që është prekur nga koronavirusi, por fatmirësisht të gjithë janë mirë. Për fat të mirë, ne, 30 shqiptarët vullnetarë, jemi të gjithë ok”,- thotë Linda.
Për disa vite ajo ka punuar në infektivin e spitalit rajonal të Durrësit dhe është e vetëdijshme për rrezikshmërinë që paraqesin këto sëmundje, sidomos Covid-19, që ka ende shumë të panjohura për mjekët, sepse bëhet fjalë për një virus të ri. Ajo rrëfen se nisi punë në spitalin e Breshias që ditën e tretë të mbërritjes në Itali dhe flet me mjaft konsideratë për mjekët dhe infermierët italianë, të cilët i kanë pritur mjaft mirë.
“Nuk është e vështirë puna, kur pritja është shumë e mirë. Ne jemi ndier të respektuar dhe homologët tanë italianë janë treguar mjaft bashkëpunues me ne. Neve kur erdhëm këtu na thanë që do punojmë një muaj, por nëse na e shtyjnë periudhën e qëndrimit unë do të vazhdoj të punoj këtu për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”,- thotë infermierja nga Durrësi.
Tani që situata duket se po shkon drejt normalizimit, puna e bluzave të bardha është pak më e lehtë dhe sidomos gjërat shkojnë më mirë kur gjithnjë e më shumë pacientë rikthehen në shtëpitë e tyre.
“Kur mbaroja turnin përherë mendoja për pacientë të sëmurë rëndë, nëse do t’i gjeja sërish në jetë kur të kthehesha të nesërmen. Fatalitetet kanë qenë sidomos tek moshat e thyera, pasi të rinjtë e kanë kaluar më lehtë. Ka shumë të prekur që e kalojnë sëmundjen në shtëpi, pasi nuk kanë nevojë për oksigjen. Për ne është përherë një mrekulli e vogël shërimi i çdo pacienti, rikthimi i tij pranë familjarëve”,– thotë Linda.
Tani kur duket se dhe pak u ka mbetur të qëndrojnë në Itali, Linda mendon edhe për rikthimin në atdhe. E ka të qartë që kur të kthehet do t’i duhet të qëndrojë për 14 ditë në karantinë, për të mos rrezikuar jetën e familjarëve apo të njohurve, por gjëja e parë që do të bëjë sapo të dalë nga aty është një dhe vetëm një.
“Do të vrapoj të puth e përqafoj mamin tim”,– thotë ajo e mallëngjyer.
Ndërkohë, përsa i përket punës, do të donte të rikthehej të punonte në spitalin e Durrësit, në repartin infektiv. Për infermieren Lindita Hasa puna nuk është vetëm profesion, por në rradhë të parë një mision për t’u ardhur në ndihmë pacientëve.





