Autoritetet në veri të Gjermanisë kanë kërkuar nga më shumë se 8,000 njerëz të përsërisin vaksinën kundër Covid, sepse një infermiere, në një qendër vaksinimi në Friesland, dyshohet se ka injektuar ujë të kripur në vend të vaksinës në shumë raste.

Në prill, infermierja kishte pranuar se u dha një tretësirë kripe 6 personave për të mbuluar faktin se asaj i kishte rënë një shishe vaksine në dysheme. Por nga hetimet e policisë, u bë e qartë se shumë më shumë njerëzve u ishte injektuar ujë me kripë në vend të vaksinës Pfizer/BioNTech. Shumë nga të prekurit ishin të moshës mbi 70 vjeç – një grup me rrezik të lartë ndaj Covid-19.

Inspektori Peter Beer, i cituar nga Süddeutsche Zeitung, tha se gruaja 40-vjeçare kishte ndarë “informacione kritikuese për koronavirusin” në rrjetet sociale, duke kritikuar kufizimet e qeverisë që synonin frenimin e përhapjes së virusit.

Policia nuk po përjashton që një motiv politik mund të ketë nxitur veprimin e infermieres, megjithëse avokatët e saj e kanë mohuar këtë gjë. Shumë dëshmitarë janë duke u marrë në pyetje dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë akuzë për rastin.