Inflacioni në Shqipëri i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), metodologji e Eurostat arriti në 2,5% në muajin shkurt 2026, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Kjo vlerë ishte më e lartë se mesatarja e BE-së ku inflacioni mesatar në shkurt ishte 2.1%.
Ky tregues shënoi një rritje të lehtë krahasuar me muajin paraardhës, ku çmimet e konsumit u rritën me 0,5% brenda një muaji. Rritja më e lartë vjetore u vërejt në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, i cili u shtrenjtua me 9,7%, duke pasur një ndikim të ndjeshëm prej 0,60 pikë përqindje në shifrën totale të inflacionit.
Megjithatë, peshën kryesore në rritjen e çmimeve vazhdojnë ta mbajnë “Ushqimet dhe pijet joalkoolike”, të cilat edhe pse u rritën me 2,3%, dhanë kontributin më të madh në indeks me 0,81 pikë përqindje për shkak të peshës së tyre të lartë në shportën e konsumit.
Grupe të tjera si “Kujdesi personal” me 3,3% dhe “Sigurimet” me 3,0% gjithashtu ndikuan në këtë trend rritës, ndërkohë që sektori i transportit mbeti pothuajse i pandryshuar me një rritje minimale prej 0,1%.
E krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria pozicionohet në një nivel mesatar, duke qëndruar mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila për shkurtin 2026 u llogarit në 2,1%.
Shqipëria me 2,5% paraqitet me një normë inflacioni më të ulët se vende si Rumania, e cila kryeson listën me rritjen më të lartë të çmimeve në Evropë, e ndjekur nga Islanda, Sllovakia dhe Kroacia.
Nga ana tjetër, vendi ynë ka një inflacion më të lartë se fuqitë e mëdha ekonomike si Gjermania, Franca dhe Italia, apo vende të tjera si Finlanda dhe Suedia. Nivelet më të ulëta të rritjes së çmimeve në Evropë për këtë periudhë u regjistruan në Danimarkë dhe Zvicër, të cilat mbyllin renditjen me normat më minimale të inflacionit.
Ky botim i INSTAT shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm metodologjik, pasi që nga Shkurti 2026, llogaritja e indeksit mbështetet në klasifikimin e ri ECOICOP 2018 dhe ka ndryshuar vitin bazë të referencës në 2025=100.
Ky ndryshim synon harmonizimin e plotë me praktikat statistikore evropiane të Eurostat, duke siguruar që matja e stabilitetit të çmimeve në Shqipëri të jetë e krahasueshme me standardet ndërkombëtare./ Monitor





