Më 23 prill 2020, i mbledhur në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64/2012 “Për peshkimin”:
• Numri maksimal i lejeve të peshkimit tregtar artizanal përcaktohet nga ministri, në zbatim të planit të menaxhimit të peshkimit dhe të planit të zbatimit të peshkimit.
• Leja e peshkimit tregtar ka një kohëzgjatje 10-vjeçare, e cila tregohet qartë në leje. Me mbarimin e këtij afati, leja rinovohet pas dorëzimit më parë të kërkesës përkatëse nga ana e pronarit të anijes së peshkimit.
• Leja e peshkimit jepet për anijet e peshkimit të regjistruara në regjistrin në anijeve të peshkimit dhe të pajisura me numrin unik identifikues NFR.
• Të gjitha anijet e peshkimit të regjistruara në regjistrin e anijeve të peshkimit dhe të pajisura me NFR, por që u ka mbaruar afati i vlefshmërisë së lejes së peshkimit dhe nuk e kanë rinovuar atë, kanë të drejtë të aplikojnë për rinovimin e lejes së peshkimit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
• Nuk lëshohen leje të reja peshkimi për anijet e peshkimit që zhvillojnë format e peshkimit me rrjeta tërheqëse (fundore ose pelagjikë, veçmas ose së bashku), me rrethim (koshilok) për peshkimin e pelagjikëve të vegjël dhe të mëdhenj, dragat hidraulike (turbosofiante), linja grepash dhe të gjitha format e peshkimit tregtar profesional.
• Për anijet e peshkimit që zhvillojnë format e peshkimit me rrjeta tërheqëse, të cilat janë të pajisura me leje peshkimi për të dyja format së bashku, lejohet ndryshimi i lejes duke kaluar vetëm në rrjeta tërheqëse fundore.
Leje të reja të peshkimit jepen vetëm për anije peshkimi:
• a) me tonazh dhe fuqi motorike më të vogël ose të barabartë me një anije peshkimi me leje të vlefshme peshkimi, si zëvendësim i saj;
• b) të mbytura, të cilat ishin të pajisura një leje të vlefshme peshkimi, si zëvendësim i saj. Në këtë rast kërkesën për leje peshkimi e bën pronari i anijes së mbytur ose trashëgimtarët e tij.
Th.M.





