Unioni i gazetarëve dega Durrës ka zhvilluar një takim me drejtuesit vendorë të institucioneve në Durrës me qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis tyre me median në funksion të informimit të publikut.

Të ftuar në këtë tryezë të rrumbullakët diskutimi, e cila u kthye në një debat të hapur midis gazetarëve durrsakë në funksion të së drejtës së informimit të publikut, ishin drejtuesit vendorë të institucioneve kryesore, Policisë së Qarkut, Prokurorisë, Gjykatës, Bashkisë, Autoritetit Portual, Spitalit Rajonal, OSHEE-së, Ujësjellësit, Kapitanerisë, Zyrës së Regjistrimit të Pasurive etj.

Diskutimi u zhvillua mbi kërkesat që ka publiku për informim në kohë reale, në dhënien e informacionit në kohë nga zëdhënësit apo përfaqësuesit e institucioneve dhe transmetimin e informacionit me interes e impakt në publik.  

Gazetarët kërkojnë informacion të shpejtë e të saktë, ndërsa ngjarja sapo ka ndodhur. Interesi i publikut për të mësuar më shumë e kryesisht për ato ngjarje që kanë impakt të menjëhershëm, bën që mbi gazetarët të ushtrohet presion, për të gjetur sa më shumë informacion në kohë reale.

Pikërisht, mbi vështirësitë që gazetarët kanë në punën e tyre të përditshme për të qenë sa më të vertetë në dhënien e informacionit, në marrjen e këtij informacioni nga burimet zyrtare, në gatishmërinë që duhet të jenë këto institucione duke zbatuar të drejtën e informimit të publikut, u zhvillua edhe gjithë debati.

Policia e Shtetit është institucioni i parë me të cilin gazetarët ndeshen në marrjen e çdo informacioni.

Pakënaqësi nga ana e gazetarëve janë shprehur në drejtim të institucionit të Prokurorisë së rrethit Durrës, institucion i cili jo rrallëherë me qëllim ka zvarritur dhënien e informacionit zyrtar të kërkuar nga media, që ka impakt në publik e në jetën e qytetit.

Drejtues i parë i Policisë së Qarkut Durrës, Alfred Çepe dhe Prokuri Ilir Turja, i cili përfaqëson edhe zyrën e marrëdhënieve me mediat e publikun, diskutuan gjatë mbi problematikat e ngritura edhe për çështje konkrete me gazetarët.

Institucioni i akuzës prej muajsh ka ngitur një barrikadë ndaj dhënies së informacionit zyrtar dhe drejtuesja e këtij institucioni i mban sa më larg mediat. Prokurori Ilir Turja tha se brenda kuadrit ligjor të informimit do të rishikohet marrëdhënia e “ngrirë” e prokurorisë së Durrësit me mediat.

E kundërta ndodh me institucionet e tjera të qytetit, të cilët janë të hapur për mediat e publikun, ku drejtuesit janë shumë më transparentë në vendim-marrje, apo në raportin që mbajnë me mediat, ku vlen të përmendet Drejtoria e Tatimeve, Ujësjellësi, Bashkia.

Drejtoresha e sapo emëruar e Spitalit Rajonal, Nadire Kërtusha Jani, u zotua se do të mbajë një komunikim të vazhdueshëm e pa pengesa me mediat duke ditur që institucioni që ajo drejton ka problematika të shtuara gjatë verës.

Nëndrejtori i Ujësjellësit, Kasti Bejko dha lajmin e mirë se këtë verë do të ketë më shumë ujë të pijshëm. 

Në këtë takim mungoi drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Arsimit një prej institucioneve më të rëndësishme, e cila drejton sektorin ku çdo ditë i drejtohen bankave të dijes rreth 60 mijë nxënës nga cikli i ulët deri në të mesëm, ku edhe problematikat nuk janë të vogla.

K.H.