DURRËS, 18 tetor 2014–  Ditën e premte, në odeonin “Nikolin Xhoja” në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” , Bashkia Durrës dhe Shoqata “Durrësi” i akorduan titullin “Nderi i Qytetit” (pas vdekjes), ING. Gani Adem Goranës.

Ishte një nismë dhe organizim i kryetarit të shoqatës kulturore “Ulqini”, z. Zyhni Beqiraj, i cili shfaq gjithnjë interesim për promovimin e vlerave dhe kontributit të ulqinakëve në Durrës. Ai gjithashtu mbajti dhe fjalën e rastit. Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, Drejtori Rajonal i Hekurudhës Durrës , deputetë, familjarë, miq, anëtarë të shoqatës “Ulqini”, kolegë të të ndjerit Ing. Gorana, etj. Për të gjithë punën, kontributin dhe vlerat e tij iu akordua titulli i mësipërm me motivacionin:

“Për të gjithë kontributin e dhënë si inxhinier mekanik dhe drejtues në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe transportit, kryesisht atë hekurudhor; si administrator dhe drejtues pushteti duke mbetur tërë jetën simbol i mendimit të përparuar që sjell zhvillim dhe progres, si njeri i thjeshtë e punëtor, i ndershëm dhe i sakrificës, për vlerat e spikatura morale e qytetare, por edhe si bashkëshort e prind”.

Në fund të aktivitetit nënkryetari i Bashkisë, z. Zhyljen Varfi i dorëzoi titullin “Nderi i Qytetit” (pas vdekjes) bashkëshortes së të ndjerit Ing. Gani Gorana, zonjës Nermin Gorana.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/