Dy motrat Ingrit dhe Inis Gjoni kanë prekur me fjalët dedikuar motrës së tyre, Ilda Gjonit, të cilës do t’i japin lamtumirën e fundit ditën e sotme.

Në një postim në rrjetin social “Instagram, Inisi shkruan se e motra bëri ditën e sotme kthimin e fundit për në atdhe dhe në familjen e saj: “Pa frymë por me atë buzëqeshjen dhe sharmin e fytyrës dhe shpirtit më të bukur në botë”.

“Dhimbja që solli ikja jote kaq e hershme, na ka dërmuar zemrat dhe trishtuar pa fund, ndjesitë dhe mendimet tona”, shkruan Inis Gjoni.

Postimi i plotë:

Sot e shtrenjta motra jonë, Ilda bëri kthimin e fundit për në atdhe, për në familje, për në shtëpi, për tek nëna, për tek fëmijët, pa frymë por me atë buzëqeshjen dhe sharmin e fytyrës dhe shpirtit më të bukur në botë.
Je nisur drejt Zotit, që me shumë besim dhe përulësi i lutemi të të strehojë tek kopshtet e Parajsës.
Njeriu përballet dhe tejkalon shumë sprova në jetë, por dhimbja që solli ikja jote kaq e hershme, na ka dërmuar zemrat dhe trishtuar pa fund, ndjesitë dhe mendimet tona. Çdo orë e ketyre ditëve peshon si gurët e rënda të malit, që hesht dhe dëgjon vetëm vajtimin e një ikje pa kthim. Por na ngroh dielli që ti le pas, fëmijët, punët e mira vlerësimet aq të vyera të miqve, të afërmve, kolegëve dhe kushdo që të ka njohur dhe ka dëgjuar për ty.
Jeta që ti jetove na frymëzon, dashuria energjia dhe mirësia jjote na bënë të ndjehemi kaq shumë krenare që ishim pjesë e çdo dite dhe misioni tënd.
Fëmijët e tu të bukur dhe të mbarë do jenë amaneti yt i gjallë që neve së bashku të qëndrojmë gjithmonë një familje e fortë, me vlera dhe me qëllime të forta.
Sot do mbesin dhe shumë shumë radhë të tjera pa shkruar, por që cdo natë do ti them kur të takoj në ëndrra, ti ëngjëll në qiell dhe unë duke lotuar në shtrat nga malli për ty.
Zoti u kujdestë për ty dhe për çdo nënë që largohet nga kjo jetë që mbetet një udhëtim i ashpër dhe me fund të sigurt.

Ndërsa Ingriti thotë se ky është publikimi më i vështirë që ka bërë në jetën e saj.

Postimi i Ingrit Gjonit:

Ky është publikimi më i vështirë që kam bërë në jetën time… Nuk e kisha menduar kurrë që do të shkruaja për ikjen e motrës sime, më të mirës prej nesh.

Ilda Gjoni, nuk ishte veç motra jonë e mrekullueshme, ajo ishte vajza shembullore, nëna më e përkushtuar e Anës, Vikit dhe Rodeos, bashkëshortja e lumtur e Mikenit, shoqja që kushdo do të donte, mikesha që e kishte zemrën hapur për të gjithë. Ishte buza e qeshur, për të njohur dhe të panjohur.

Ajo ishte tezja më fantastike, që u bë mami e dytë e Paridit. Unë nuk do mundem kurrë të shkruaj as 1% të asaj që meritonte Ilda. Besoj shumë që Zoti do ta shpërblejë me Parajsë për çdo gëzim që solli mes nesh në Tokë. Engjët dhe qielli janë shtëpia e saj sot dhe unë lutem për paqen e saj. Ilda, motra të do shumë gjithmonë dhe të premtoj që do kujdesem përjetë për dritat e syve të tu.

Faleminderit të gjithëve ju për dashurinë dhe kujdesin e treguar ndaj nesh. Zoti ua shpërbleftë me të mira!

Përcjellja e fundit dhe homazhet do të bëhen më 29 dhjetor nga shtëpia funerale “Parajsa”, ora 14:00, në Sharrë.