24 dhjetor 2013 – Komedia “10 vjet martesë” e regjisores Inis Gjoni do të shfaqet sërish këtë javë në skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra e Halil Vardar, përkthyer nga Ylljet Aliçka, bashkon në skenë për herë të parë çiftin Eni Jani dhe Genci Fuga në një komedi bashkëkohore, që ka në qendër jetën bashkëshortore. Por suksesi që ka pasur kjo shfaqje në gjithë skenat ku është vënë duket se nuk ka anashkaluar edhe Shqipërinë. Pranë sportelit të biletarisë bëjnë të ditur se që në ditët e para të shitjes së biletave, shfaqja ka pasur një fluks të madh rezervimesh dhe janë shitur të gjitha biletat për tre shfaqjet e para ende pa u ngjitur në skenë, ndërkohë që suksesi duket se nuk do të mungojë dhe në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor.  Kjo vepër ka marrë jo vetëm vëmendjen e publikut, por dhe vetë punonjësve që janë në TK. “U bë kohë që nuk kemi parë një vepër që ta mbushte kështu sallën e teatrit. Merita i takon  regjisores, por dhe dy aktorët kanë bërë një interpretim të shkëlqyer në skenë”, pohojnë ata, ndërsa publiku ka filluar të prenotojë biletat për ditët në  vijim kur vepra do të rikthehet në skenën teatrore. Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme. Liza dhe Aleksi janë të martuar prej dhjetë vjetësh dhe kanë dy fëmijë. Ndërsa Liza në ditën e përvjetorit e të martesës po mundohet të krijojë një atmosferë sa më romantike, duke u munduar të paraqitet përpara Aleksit sensuale dhe joshëse, po atë ditë Aleksi i rrëfen se e tradhton dhe se kërkon të divorcohet. Që në momentet e para të komedisë në skenën e Tetarit Kombëtar shpërthen në një ortek zënkash dhe pakënaqësish të të dyja palëve, duke hedhur të gjithë helmin e mbledhur në këto vite. Ata nisin të zbrazin të vërtetat e pathëna të bashkëjetesës, duke shprehur zhgënjimet e pësuara, tradhtitë, xhelozitë, pakënaqësitë e dëshirat e tyre në një përpjekje për të gjetur fajtorin. 

http://www.sot.com.al/kultura/inis-gjoni-eni-jani-dhe-genci-fuga-marrin-v%C3%ABmendjen-e-publikut-n%C3%AB-teat%C3%ABr