Nga Mihallaq Zhavo

DURRËS, 28 tetor 2014– Keni dëgjuar nga Marksi se njeriu është kapitali më i çmuar. Këtë konstatim nga një ekonomist si Marksi, njerëzit e kanë lexuar për gjysmë shekulli, nëpër rrugët e gjysmës së botës komuniste. Pushteti dhe masat krenoheshin me këtë vlerësim bankar që ai i bënte njeriut. Duke etiketuar njeriun si capital, Marksi i hoqi atij vlerën njerëzore, ndërgjegjen, dhe iu tha industrialistëve, bankierëve, që për të fituar më shumë nuk ka kapital më të mirë se sa Njeriu. Dhe jo vetem njeriu, por njeriu injorant është kapitali më i çmuar, ose më saktë injoranca e tij është kapitali i vërtetë. Kjo është vlera ku bazohet pushteti dhe për pasojë, historinë nuk e kanë bërë masat siç thotë Marksi, por injoranca e tyre, injorantët.

Çdo komb jeton dhe vuan injorancën e tij historike, mentalitetin, pavetëdijen e tij. Liderët nuk preokupohen peër ndërgjegjësimin e injorantit, por për profilizimin e injorancës në favor të tyre. Ky profilizim i injorancës është shkollimi dhe kulturimi i masave. Ato lodhen që të mprehin injorancën, ashtu siç mprehim shigjetën që të jetë më e efekshme. Kulturimi masiv, kultura moderne e masave që përfaqësohet nga vipat (ato kanë zëvendësuar heronjtë e punës socialiste të komunizmit) nuk është gjë tjetër, veçse orientimi i injorancës popullore në një drejtim te caktuar. Terrorizmi është po injorancë e shekujve tek njeriu që jeton të sotmen me mendjen e vjetër. Mjafton orientimi dhe polarizimi i saj që ajo të krijojë konflikte katastrofike, nëse vishet me pushtet . Çdo kulturë nacionaliste polarizon padijen e individëve dhe e përdor atë si kapital ekonomik e politik. Injoranca është në të vërtetë potencë natyrale e njeriut që ta përdorë e ta transformojë forcën e saj në dije. Në fakt per individin, injoranca e tij duhet konsideruar nga ai vetë si kapital personal që ta investojë në fushën e dijes. Kur ti e lëshon injorancën tënde në duart e liderëve, jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, ajo do të manipulohet. Politikanët i japin etiketa të ndryshme individëve injorantë, i organizojnë, por nuk i transformojnë në të ndërgjegjshëm. Ata, vetëm se e veshin me uniformat e tyre historike të vjetra ose moderne. Këto uniforma të dhuruara nga lideri, individi i quan të tijat, identifikohet me ato dhe i mbron nëse ia prekin. Të tjerët të uniformizuar ndryshe nga ai do të quhen të huaj, kundërshtarë dhe armiq. Këtë grupim dhe unifikim të injorancës kanë bërë në shekuj, liderët e politikës dhe të fesë. Ata nuk kanë punuar për transfomimin e saj, por për shfrytëzimin në interes të tyre duke na dhuruar sot, njeriun e shkretë, të ngjyrosur me pigmente nga më të ndryshmet. Ky njeri i taposur dhe i ngurtësuar, si ata kalorësit mesjetarë të mbuluar me hekur lëshohet më pas, i lirë në shkretëtirë, në stadiume, në sheshe dhe në internet. Budallai i lirë hedh një gur në pus dhe njëqind të mençur nuk e nxjerrin dot. Po ku mund të gjenden vallë njëqind të mençur sot? Injoranca nuk është e keqe në vetvete, padija është natyrale. Ajo mund të kthehet në forcë për ty, nëse trasformohet në dije personale, prandaj mos lejo që atë ta përdorin të tjerët. Këtë Marksi dhe profetët nuk arritën t’ua mësonin masave.