Nga BUJAR QESJA
Lëngoi dy muaj. Kryet i mbështeti jo vetëm në jastëkun e spitalit të Durrësit, por më shumë në duart dhe në zemrën e bashkshortes aq të dashur dhe të shtrenjtë, të dy fëmijve dhe gjashtë nipërve dhe mbesave.
Mëngjesi herët i 20 shkurtit 2024, për familjen Trimi, vjen gri si koha. Dhimbja është e madhe, sa vetë pesha e fatkeqësisë. Burri që lindi me 16 qershor 1948 në Kërçukje të Ndroqit dhe që i mbylli sytë me 20 shtator 2024, jetoi 76 vite. Quhet Xhevdet Trimi.
E në kësi rastesh, flitet dhe shkruhet se cili ishte Xhevdet Trimi, bashkshorti i mësueses së njohur në Durrës File Trimi, babai i Albanit, Agronit dhe Ejonia-s dhe gjyshi i Albanit, Aikenit, Renisit, Albës, Fionës dhe Ajlës. Xhevdet Trimi ra në shtratin e fundjetës krejt papritur, por që hoqi dhe u mundua sa s’thuhet. Por mbiemri Trimi, e shoqëroi deri në fund dhe ishte personifikimi i karakterit të tij. Mbeti trim në jetë, i papërkulur, sfidues, duke u përballuar bash si trimat dhe nuk u tut edhe kur vështirësitë iu ofruan keqas.
Ishte i prerë për ushtarak, pasi në jetë kërkonte të ishte i ndershëm, i saktë, rigoroz dhe me shumë disiplinë. Shkoi në shkollën ushtarake “Skëndërbej” dhe e mbaroi mjaft mirë. Iu nënshtrua studimeve në Shkollën e Bashkuar për Oficerë dhe e kreu ashtu si trimat, me kryet e ballin lart. Emërimin si artilier bregdetar në Shengjin, në pozicionin e oficerit të karrierës në ushtrinë shqiptare, e priti me shumë kënaqësi. Dhe shërbeu si dinte ai.
Por që në rininë e parë, vuri re se kishte pasion të zjarrtë për të ushtruar sportin e mundjes. Me muskujt e fuqishëm, të dalë nga korniza e fizikut të fortë, Xhevdet Trimi u tregua trim i rrallë edhe në tapetin e mundjes. Vetëm fitore ndaj rivalëve. Gjoksi iu zbukurua me tituj dhe medaljet e kampionit. Pas “Partizanit”, nuk hezitoi dhe përfaqësoi “Lokomotivën” e Durrësit, ngjyrat e së cilës i mbrojti jo vetëm si mundës, por edhe si trajner.
Duke u lidhur shumë me sportin, Xhevdet Trimi me rroben e oficerit, iu nënshtrua studimeve të larta në Institutin e Kulturës Fizike e Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe diplomohet si mësues i edukimit fizik. Pasionin për mundjen, ia ushqeu edhe djalit të parë Albanit, i cili lindi në vitin 1971. Krijoi familje që në moshën 22 vjeçare, duke lidhur jetën me një grua shumë të zonjën jo vetëm në profesion, por edhe si bashkshorte e rrallë në përballjen me vështirësitë. Shumë shpejt e zgjeruan familjen e tyre, me të bukurin djalë Albanin.
Albani u rregjistrua në shkollën teknologjike të ushqimit social në Tiranë dhe zgjodhi profesionin e guzhinjerit dhe pastiçerit. Por Xhevdeti e donte edhe këtë djalë, të ishte trim i tapetit si ai. Përfaqësoi asokohe klubin e “17 Nëntorit” të Tiranës dhe u bë mundës me emër.
Në familjen Trimi, u bënë dy trima të fortë dhe të paepur. Pasi filloi punë në Durrës në disa lokale me emër, krejt papritur për familjen e Xhevdet Trimit pllakosi trishtimi, duke u përballur me tmerr dhe lemeri. Albani sëmuret rëndë. Vuan katër vite, me shpresë së gjithçka e mirë do të shkonte për të. Por jo. Ishte viti 1994 dhe sfida doli ballas. Alban Trimi, i bukuri i prindërve, i miri dhe i shkëlqyeri djalë, dha frymën e fundit.
Eh Xhevdet dhe File çfarë hoqët!
Familja Trimi shtohet edhe me një djalë tjetër Agronin dhe vajzën Elonia. Agroni përfundoi studimet e larta për kontabilist. Krijoi familje dhe është me tri fëmijë: Albën, Albanin dhe Aikenin. Ndërsa Elonia, është mësuese e ciklit parashkollor dhe nënë e tri fëmijve: Renisit, Fjonës dhe Ajlës. Por ajo që vlen është, se Albani është ringjallur, është nipi i Xhevdetit dhe i Files.
Xhevdet Trimi u ngarkua në jetë dhe i përballoi me suksese shumë detyra dhe angazhime. U emërua shef i stërvitjes ushtarake për rininë shkollore të Durrësit. Bëri mundësin, trajnerin dhe specialistin, mësuesin e edukimit fizik në shkollën e mesme industriale “Leonik Tomeu”, e mori përsipër të tjera detyrime. Për vlerat në sportin e mundjes, meriton titullin e lartë “Nderi i Mundjes Shqiptare”.
Filja gruaja e hekurt e familjes Trimi, është tjetër mburrje. Mbaroi në vitin 1971 Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në degën rusisht dhe paralel edhe atë të gjuhës shqipe. Emërohet në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës. Masovike, e respektuar si askushi, krijoi emër dhe rriti autoritetin e familjes Trimi, duke qenë krenari jo vetëm për bashkshortin, fëmijët, tre nipërit dhe tri mbesat, por edhe për shoqërinë.
Filja e përballoi si burrneshë, largimin nga jeta të të birit dhe tash së fundi edhe të të shoqit, të njeriut zotni, me shumë njohje dhe reputacion në Durrës Xhevdet Trimi. Dhe i duhet të sfidojë. Dhe i duhet të qendrojë. Dhe i duhet të bëhet e fortë dhe e durueshme. Dhimbja është e madhe. Por i duhet të vazhdojë të mbajë amanetet e bashkshortit, i cili i kërkoi të mos ligështohet dhe të bëhet mburojë si deri tani, për fëmijët dhe pasardhësit e tyre.
Durrësi sot zbardhet me një qytetar më pak, por me një dhimbje më shumë. Nga mëngjesi i sotëm, nuk jeton një njeri që i dha jetës, familjes dhe shoqërisë gjithçka kishte, por la emër nderues për atë çka ishte.
Lamtumirë Xhevdet Trimi, që mbete trim në këtë jetë, e në këtë tokë!