Nga Bujar Qesja
-Zoti të dhëntë paqen e merituar!
Kur viti 2024 po ofrohet fundi, mbylli jetën Mereme Kërtusha. Meremja në origjinë, vjen nga familja e njohur Cerloj në Durrës. Por në kujtesën e bashkëqytetarëve të saj, do të mbetet edhe si bashkshortja e denjë e këngëtarit të famshëm durrsak Qemal Kërtusha.
Krahas sivisë së saj si zonjë e nderuar dhe pjesë e fisit të Cerlojve, Meremja krijoi staturën e saj edhe si punonjëse në Uzinën e Radio Televizorëve (URT) në Durrës.
Meremja rrezatonte optimizëm, shpresë dhe besim në jetë. Buzëqeshja e saj mbeti deri në fund si pranverë e përhershme, duke ndjellë gjithnjë mirësi dhe mbarësi. Pa mbushur 20 vite jetë, ajo bëhet bashkëshortja e artistit të njohur të skenës durrsake dhe asaj kombëtare, “Mjeshtrit të Madh” Qemal Kërtusha. Çifti Kërtusha, krijuan reputacion të jashtëzakonshëm në Durrës, veçanërisht në marrdhëniet e sinqerta, plor respekt dhe dashuri që ruajtën për durrsakët.
Ajo iu bë krah Qemalit në rrugëtimin e suksesshëm drejt artit muzikor, duke sakrifikuar dhe qenë gjithnjë e gatshme, në përmbushjen e kërkesave ndaj tij. Kujtojmë që këngëtari Qemal Kërtusha, “Qytetar Nderi” i Durrësit, u nda nga jeta me 9 mars 2022 në moshën 91 vjeçare. Meremja e përjetoi shumë humbjen e Qemal Kërtushës, me të cilin bashkëudhëtuan 68 vite dhe zuri krevatin siç shprehet urtësia.
Veçon shërbimi i pashembullt i vajzës Ermira dhe bashkshortit të saj, poetit të njohur Ruzhdi Gole, por edhe i dy djemve fort të shtrenjtë për të Agimit dhe Arbenit, që tentuan që Meremja të jetonte sa më gjatë. Dhe në moshën 89 vjeçare ndali frymëmarrjen.
Në këtë të mërkurë, 11 dhjetor 2024, mbylli sytë përgjithnjë një durrsake e njohur, një zonjë fisnike dhe qytetare e nderuar e Durrësit, për të cilën ndjejmë dhimbje dhe trishtim. Të dy fiset Kërtusha dhe Cerloj janë në zi. Edhe qytetaria durrsake e ndjen këtë humbje.
Ngushëllime të sinqerta familjes, vajzës Ermira, djemve Agimit dhe Arbenit. Miku ynë i shtrenjtë Qemal Kërtusha! Tashmë u bashkuat si dikur me Meremen tënde, që u deshët aq shumë në të gjallë. Dhe tani jeni në botën e përtejme, duke mbetur në kujtime dhe mos-harresë.
Dheu i lehtë Mereme Kërtusha Cerloj! Zoti të dhëntë paqen e merituar!
Bujar Qesja
Durrës: 11 dhjetor 2024