Nga BUJAR QESJA
Një lajm i dhimbshëm kapërceu “Adriatikun” dhe në këtë të ftohtë të 5 dhjetorit 2021, erdhi dhe u përplas në shpirtërat tanë. Në shpirëtrat tanë të dobësuar dukshëm, nga vetë koha kur i përcjellim. Kjo kohë kovidiane, na ka bërë të njomim më shumë faqet nga lotët e nxehtë. Mbase mund të jenë bërë lumenj lotësh, nga shumë të afërm, miq, shokë dhe shoqe që na kanë ikur nga shikimi, për t’u ulur përjetësisht në memorien tonë. Dhe një ulje të tillë sigurisht, do t’i takojë edhe një mikeshe të rrallë, me emrin që tashmë na drithëron Vera Dajku.
Në mëngjesin e 5 dhjetorit 2021, kanë ardhë për të më dhënë lajmin e hidhur shoqet e ngushta të Verës, Shega Korriku, Pavlina Sotiri, Violeta Çini, Luçi Hani (Deliallisi) etj. Pikëllimi lexohej në fytyrat e tyre. Koha e vrënjtur, krijonte një paralele me fytyrat gri të tyre.-Vera, na la!
Lotët i mbytën dhe ngadalë u larguan në drejtim të dhimbjes së tyre.Vera! Të kam fiksuar vajzë të re, me një trup gjigand, me një fizik që hijeshonte shëtiroret e Durrësit, duke ta dhënë më shumë nurin e vlerat e një bukurie të lindur, një buzëqeshje që të jepte gjithnjë pranverë. Dhe jo rastësisht duhet të ketë qenë edhe lindja jote në pranverë, m’u në 14 marsin e vitit 1949. A nuk është 14 marsi dita e Verës? A nuk fillojnë të zbukurohen kopshtet, nga lulet e bukura me kolorite të veçanta në këtë ditë? Kështu ishe dhe mbete deri në fund Vera jonë e dashur, një lule e bukur në kopështin e pafund të dashurisë të miqve dhe mikeshave të tua, të prindërve të t’u, të motrave dhe vëllezërve të t’u.
Sinqerisht ndjeva dhimbje Vera për largimin tënd nga jeta dhe nuk dua ta besoj. 71 vite nuk janë asgjë, para dëshirës tënde për të jetuar, krahas dëshirës tonë për të të parë gjithnjë të bukur, gjithnjë të qeshur. Ti kishe një shpirt të pastër, që vinte në ngjyrën e bardhë të dëborës. Ti kishe shumë dashuri! Ti kishe shumë zemër, shumë shpirt! Dashuria jotë ishte një det i pafund dhe ne të gjithë lageshim nga pak, nga dallgët joshëse që sillte e mira jote pa cak.
Punove në ndërmarrjen e bonifikimit, ku drejtonte burri zotni Miço Veshi e bashkë me të ishte drejtues edhe një zotni i rrallë Zenel Bardhi. Ti mbarove arsimin e lartë për ekonomiste dhe tregove vlera në këtë zanat të vështirë dhe delikat. Pastaj t’u ofrua detyra e revizores në Albtelekomin e Durrësit. Gjithnjë faqebardhë. Gjithnjë lexohej në fytyrën tënde sinqeriteti, e qeshura plot lëng duke shpërndarë vetëm mirësi, optimizëm dhe kënaqësi.
Kadri Dajku e shtoi familjen me 8 fëmijë, por se si më duket Vera, ti ishe i një lloji të veçantë. E kisha dëgjuar emrin tënd, veçanërisht nga durrsakët që kishin filluar të lëviznin dëndur jashtë Shqipërisë. Erdhi koha edhe për ty të emigroje dhe të vendoseshe në qytetin Rimini të Italisë. Me shokun e jetës Skënder Hasaj (i larguar nga jeta para katër vitesh) ngritët një familje më shumë se të mirë dhe u shtuat me dy djem. Më tërheqin vëmëndjen emrat e tyre: Kreshnik dhe Sokol. Emra të mirfilltë shqiptarë, që tregojnë karakterin e kristalizuar të burrave të fortë, të qëndrueshëm. Dhe Kreshniku dhe Sokoli, kishte në krahas një kreshnike dhe një sokoleshë, me emrin tashmë të vendosur në kujtimet tona Vera Dajku.
Ishe shumë e shkathët, por shumë e gjindëshme. Emri yt është lakuar aq shumë në Durrës, saqë po e ndjeja veten me fat, që do të më jepej mundësia që me 13 tetor të vitit 2018, të isha bujtës në hotelin tënd me emrin aq tërheqës “Orchidea Blu”. Grupi i durrsakëve do të nisej për një udhëtim të gjatë jashtë Atdheut, por do të kishte një ndalesë në Rimini. Dhe të gjithë mezi pritnim të arrinim në këtë hotel, jo thjesht për akomodim, por për të të takuar edhe ty Vera. Kurioziteti ishte i madh edhe tek unë. Mbaja mënd vetëm rininë e hershme, kur ecje krenare në Durrësin tonë. Dhe u takuam. Mrekullia ishte e saktë.
Ti si një zonjë e rëndë nuk hape vetëm dyert e hotelit, por zemrën tënde të madhe sa trupi. Kam lëvizuar shumë jashtë, por se kam ndjerë kurrë vetën më të privilegjuar si shqiptar, se sa atë ditë. Çfarë pritje! Ti na trajtove të gjithëve si vëllezër dhe motrat e tua. Na dhe bukë, e na dhe ujë. Por na dhe zemër, shumë zemër. Na dhe shpirt, shumë shpirt. Na dhe shumë miqësi, madje shumë, shumë…
Dhe erdhe me ne, sikur doje të na tregoje ende kujdesin tënd. Dhe ne e ndjemë, e prekëm, e shijuam.
Lajmi vjen shumë i rëndë, më i rëndë se pesha e një toke ku jetojmë. Bëre edhe një veprim shumë fisnik. Ky veprim vetëm para dy muajsh. Erdhe në Durrës, kur e dije fare mirë që demoni i tmerrshëm të kishte rrethuar. Mblodhe shoqet dhe çmunde. I bashkove si një tufe me lule, duke dalluar shumë ngjyra jote e shpirtit. U dhe ç’deshëm dhe ç’doje. Ndave jetën tënde me to. Madje mund ti kesh dhënë edhe nga ajo pak jetë, që kishe deri në atë ditë. Dikush edhe lotoi. Por e fshehu lotin, që të mos ngrinte buzëqeshjen tënde. Dhe kjo është dhurata më e madhe që i ke dhënë atyre, por natyrisht edhe ne.
Vera jonë e paharruar! Ti mbylle sytë përgjithnjë në këtë mëngjes të 5 dhjetorit 2021, për t’i mbajtur ne të gjithë që të njohim dhe që të të donim hapur sytë e kujtesës, të asaj memorie që gjithnjë do të jetë ulur me buzëqeshjen tënde. Jemi një rreth i madh që jemi lënduar. Janë motrat e tua të mira Manjola, Alma, Dhurata dhe Nexhmija. Janë tre vëllezërit aq të merituar Xhemali, Bujari dhe Iliri. Jemi të gjithë ne. Është edhe Kimetja, Drita, Madi, eh sa shumë janë. Nuk mund ta besojmë, e aq më pak ta pranojmë, që mbylle sytë. Por ngushëllohemi me pranverën e kujtesës që na le.
Vera Dajku! Ike por na le dhuratën më të çmuar që kishe, shpirtin dhe zemrën e pastër, buzëqeshjen që do të ndrisë gjithnjë në fytyrën tënde, tashmë pronë e memories tonë.
Dheu i lehtë, motra jonë e shtrenjtë!
Durrës: 5 dhjetor 2021