Nga BUJAR QESJA

Komunikuam disa ditë para gjëmës së madhe.
-Kam detyrë miku im, të të dhuroj librin tim të fundit “Mbi dallgët e jetës”. Si do të gjesh mundësinë të ta dorëzoj?
-Ma dërgo, Zyhni i dashur me anë të Julianës, pasi mund të shkoj ta takoj tek teatri.
-Faleminderit! Do të doja edhe ndonjë mendim tëndin si publiçist i vjetër.

Dhe shkruajta për mrekullinë më të fundit të Zyhniut, “Mbi dallgët e jetës”, duke mos veçuar edhe vështirësitë e jashtëzakonshme të shëndetit.

U ndodha sot në lartësitë e Voskopojës, ku po pushoj dhe po eci pa u ndalur. Po rrufitnim pak alkol me tim vëlla Yllin, mu tek “Akademiku” i njohur dhe sinjali që vinte nga celulari im, më shkëputi nga biseda.

-Bardhyl Agasi jam. Do të jap një lajm të hidhur, ndonëse ndodhesh me pushime. Zyhniu i jonë nuk jeton. Jam shumë i prekur. Ndodhem jashtë, por trishtimi më pushton njëlloj sikur të ndodhesha aty.

Im vëlla Ylli ndjeu, se diçka jo e mirë kishte ndodhur. Ai është mik i ngushtë me Zyhniun dhe më duhej pak takt për tia thënë.

-Zyhniu –Ylli është ndarë nga jeta. Jam i hutuar dhe nuk po di çmetë thënë tjetër.

Trishtimi erdhi i fortë, si vetë klima që na ka përfshirë në lartësinë e 1300 metrave. Por Zyhni Beqiraj, të jesh i sigurtë, që emri dhe fama jote e ka kaluar këtë lartësi, duke mbetur vërtet në lartësinë e përjetësisë tënde, që e arrite me përkushtim dhe vetmohim të pazakontë.

Zbrita poshtë në fshat dhe në kushte të vështira pune, po bëj sigurisht këtë shkrim të vështirë. Pavarësisht origjinës nga Ulqini e përqendrimit në Shkodër, Zyhni Beqiraj u lind në këtë Durrësin tonë me 16 prill 1946. Në familjen ulqinake të Mahmud Beqirajt gëzimi është i madh. Të qarat e para të fëmijës, duke ndjekur partitura naturale dhe instiktive, të dukeshin mu si mbi dallgët e jetës.

Duke qenë mik i kahershëm me familjen Beqiraj, më kujtohet se e pyes një ditë nënë Havanë.
-Kë do më shumë Zyhniun apo Javerin?

Gruaja e mënçur Hava Beqiraj më tha:
-Ne ulqinakët kemi një shprehje të urtë. Fëmija i madh duhet, ndërsa për të voglin të vjen keq.

Në esencë pra që të dy ishin të barabartë. Por ja që këtë fëmijë të parë të Beqirjave, qëlloi që na e deshi i gjithë Durrësi, për të mos dalë tek ulqinakët e përmallshëm, që i kujtonin në mënyrë ëndërruese Zyhni Beqirajt, prejardhjen që e mbushte me krenari.

Zyhniu i dha Durrësin jo vetëm krenarinë për origjinën, por edhe vlerat që i shtoi dhe i shumoi viti pas viti, e periudhë pas periudhe. Me intuitën që i fali Zoti, iu ngjit muzikës. Mësoi instrumentin. Nis të këndojë, por edhe të kompozojë. Shembullin e kishte të gatshëm. Mustafa Beqiri ishte zë kryesor i muzikës popullore në Durrës. Por Zyhniu pati meritën më të madhe, pasi u bë nxitës që shumë përfaqësues të këtij fisi të fisëm, të merreshin me muzikë. Iliriana Beqiraj një zë që nuk harrohet. Nipi Zhoaris sutdion për muzikë. Po kështu mbesa tjetër Lizarda, luan në violinë dhe në kitare. Adili të thek në kitare dhe këndon gjithashtu. Dhe më pas Zyhniu, do të ndërtonte fonetekën e tij me 90 këngë të kompozuara.

I vullnetshëm, dha prova se mund të bëj dhe madje mjaft mirë, shumë gjëra në jetë. Studioi fizikën pa hequr dorë nga partiturat. Drejtoi disa shkolle si drejtor. Por bëri edhe detyrën e shefit të seksionit të arsimit dhe kulturës. Bëri politikë, duke qenë edhe anëtar i parlamentit shqiptar, por pa hequr dorë, si përfaqësues i forcës që përfaqësonte në këshillin bashkiak të Durrësit.

Filloi krahas këngës të merrej edhe me botim librash. “Mall për Ulqinin në këngë”, “Matura 64”, “Mbi dallgët e jetës” . Shkruajti artikuj në shtypin qendror dhe atë lokal. Bën emër si kompozitor, duke hartuar edhe tekste këngësh. Krijon shoqatën kulturore Ulqini me ulqinakët e Durrësit.

Dhe kështu Zyhni Beqiraj na çfaqet si publiçist, mjeshtër i krijimit të këngëve, instrumentist në nivelin e profesionistit, mjeshtër i mësimdhënies, kuadër i aftë drejtues në arsim, planovik dhe masovik si ai, familjar si ai, politikan i urtë dhe gjithpërshirës si ai.

Duke qenë kështu, “Nderi i Qytetit të Durrësit”, “Qytetar Nderi i Ulqinit”, “Çmimi i karrierës”, vlerësime dhe dekorime të ndryshme, ia pasurojnë sivinë, por mbi të gjitha shpirtin dhe dashurinë e madhe që kishte për durrsakët, për ulqinakët e origjinës dhe të gjithëve u falte, pjesë nga shpirti i tij i pastër si kristal.

21 gushti i vitit 2023 do të hapej me një lajm të dhimbshëm. Qyteti ndal, e durrsakët mbajnë frymën. Një bir i tyre, një djalë i tyre, që bëri punë të mbara në vlefshmërinë e komunitetit që jetojnte, për shkak të komplikacioneve në veshka, pasi prej vitesh bënte dializën, ndali frymëmarrjen. Por vetëm kaq. Por kujtimi dhe mosharesa për këtë njeri të vlefshëm të qytetarisë durrsake dhe jo v etëm, ska si të ndalen.

Punoi për Durrësin dhe Durrësi mot e jetë do ta ketë pjesë të tij. Punoi për durrsakët dhe durrsakët mot e jetë do ta kenë pjesë të tyre. Punoi për arsimin, kulturën, edukimin, familjen dhe shoqërinë. Edhe këto janë arsyje më shumë, që ky njeri i çquar i këngës, i letrave dhe i mendimit, të mos i zbehet kujtimi.

Zyhni Beqiraj! I përjetëshmi i kujtesës tonë!

Bujar Qesja
Voskopojë: 21 gusht 2023