INSTAT ka bërë publik raportin vjetor të aksidenteve rrugore. Instituti i statistikave, ka konstatuar se ka një tendencë rënëse me 15.3 % aksidente më pak se viti 2021.
Në 12 muajt e vitit të shkuar numërohen 1.165 aksidente rrugore nga 1.376 aksidente, të ndodhura në vitin paraardhës. Shifrat zyrtare tregojnë se në muajin e fundit të vitit dhjetor 2022 numërohen 105 aksidente rrugore nga 119 të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më pak llogaritet edhe numri i të aksidentuarve, ku konkretisht janë 1.599 persona nga 1.860 persona të aksidentuar në vitin 2021.
Duke u ndalur në analizimin e shifrave të dhjetorit INSTAT raporton se numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 120 persona nga 134 në muajin dhjetor 2021 dhe në shumicën e rasteve shkak i këtyre aksidenteve kanë qenë drejtuesit e mjeteve. Sipas statistikave në 79,0% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 28,6% të numrit të aksidenteve gjithsej. Numri i aksidenteve rrugore për këtë grup-moshë është i njëjtë me numrin e aksidenteve rrugore në dhjetor 2021.
Më të ndërgjegjësuar duket se kanë qenë këmbësorët në anën tjetër duke ulur numrin e rasteve kur shkak për aksidente janë bërë këta të fundit. Aksidentet rrugore, në 14,3% të rasteve, në vitin 2022 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 20,5%.
TË DHËNA PËR AKSIDENTET
Viti 2021
1.376 ngjarje rrugore
1.860 persona tw aksidentuar
Viti 2022
1.165 ngjarje rrugore
1.599 persona të aksidentuar