Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, ka folur për kontrollin e administratës tatimore në biznesin e Agron Dukës, në kulmin e debatit për rizgjedhjen ose jo në krye të FSHF-së të vëllait të tij Armand Duka.

Ministrja u shpreh se diçka e tillë kishte qenë vetëm një rastësi, ndërsa shtoi se administrata e tatimeve funksionon në bazë të procedurave prandaj ka bërë kontroll pa kaluar afati kohor i 7 ditëve prej momentit kur ishte bërë denoncimi.

“Në fakt administrata tatimore funksionon në bazë të ligjeve dhe procedurave tatimore. Rasti në fjalë është rastësi që ndodh pikërisht në këtë moment, pasi vjen në zbatim të një denoncimi dhe një sërë denoncimesh të ardhura, të cilat administrata shtetërore duhet t’i verifikojë brenda një afati 7 ditor.

Ka qenë komplet në zbatim të procedurave dhe planit të punës të administratës. Subjekti që ju përmendët, por dhe subjekte të tjera, janë subjekte të kontrolleve të shpeshta tatimore, për të ezauruar të gjitha denoncimet, me qëllim përmbushjen e objektivave të administratës për uljen e informalitetit dhe objektivave të tjera që ju i dini tashmë”, tha Ibrahimaj.