Një tjetër aks i ri në shërbim të zhvillimit bujqësor e rural, të zonës së Elbasanit, do të jetë rruga bujqësore Kuqan-Bujqës-Jagodinë-Murriqan
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e kësaj rruge, e cila do të shndërrojë tërësisht zonën në një hapësirë të mirëfilltë agroturistike.
“Rruga do të lehtësojë produktet bujqësore të Elbasanit në qendrat e grumbullimit në Lushnje. Vetëm në dy muaj, nga janari-në 15 mars nga prodhimi i lakrës prodhohet në vlerë rreth 2 milionë dollarë, e cila është e gjitha e kontraktuar për eksport. Prodhimi shkon në vendet përreth, por edhe më tej në Europë. Aksesi i rrugës na jep mundësi ta çojmë në pika më tej prodhimin dhe shpresojmë që vitin tjetër për të njëjtën periudhë kohore të kemi dyfishin e kësaj vlere”, tha deputeti i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla.
Në bisedë me fermerët e zonës, kryeministri theksoi se orientimi i duhur për të zhvilluar ekonominë e tyre personale dhe të zonës në tërësi është organizimi i fermerëve.
“Ne po i heqim dhe do t’i heqim përfundimisht të gjitha ato tezgat e rrugëve se ato janë një skandal. Kështu që të bashkohen njerëzit, jo si në atë kooperativën e dikurshme që punonin të gjithë dhe i mblidhte vetëm shteti, por këtu të gjithë punojnë dhe secili merr atë që i takon. Bashkë për të përcaktuar cfarë do të prodhojmë, bashkë për të përcaktuar si do ta prodhojmë, por secili prodhon vetë dhe në shitje të gjithë bashkë”, u shpreh kryeministri.
Mes Taulant Ballës dhe Edi Ramës nuk kanë munguar as batutat, teksa Balla po i tregonte rreth projektit.
Balla: Të themi të drejtën meqë ju kemi këtu, kemi edhe një 2 kilometërsh me pjesën e Belshit për ta lidhur gjithë pjesën e unazës.
Rama: Jo meqë jam këtu, por sa herë jam këtu këtë punë ke, edhe dy kilometra më andej.
Balla: Po na duhen edhe dy kilometra më tej apo jo.





