Durrës, 18 korrik 2014 – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektoi të premten në Portin e Durrësit, linjën e re të tragetit Durrës-Bari.
Sipas ministrit Haxhinasto, hyrja e këtij operatori ka sjellë ulje të konsiderueshme të tarifave në rreth 20-30%.
Ministri tha gjithashtu se qeveria do të krijojë mundësi për përdorimin e mjeteve të reja dhe sipas standardeve evropiane.
“Hyrja e këtij operatori ka sjellë ulje të konsiderueshme të tarifave që variojnë nga 20-30%, kjo reflektohet në shërbimin që i ofrohet qytetarëve. Vëmendja jone do të përqendrohet në përdorimin e mjeteve sa më të reja, me standardet e kërkuara me qëllim që qytetarët shqiptarë të shërbehen sipas standardeve europiane”,deklaroi ministri Haxhinasto.
Sipas Haxhinastos, ka shumë hapësirë që kompanitë e transportit detar të jenë të suksesshme, ndërsa fokus duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarëve.
Së bashku me Drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame, Haxhinasto prezantoi edhe guidën e të gjitha linjave të transportit në Shqipëri, që do të shërbejë dhe ndihmojë turizmin në këtë sezon, por edhe sezonet e tjera.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





