• Mediet zyrtare të Moskës njoftojnë për stërvitjen “Biza-2015”, kurse Ministria shqiptare e Mbrojtjes nuk e konfirmon as dhe nuk e hedh poshtë lajmin e Kremlinit

DURRËS, 22 qershor 2015 –  Edhe pse Ministria shqiptare e Mbrojtjes nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar për stërvitje në Bizë, është Moska që konfirmon një fakt të tillë. Agjencia e lajmeve “Dyrrah” ka mësuar nga mediet zyrtare afër Kremlinit (RG, RIA Novosti etj.) mbi një stërvitje në Shqipëri që do të inspektohet nga ajri nga një grup rus.

Drejtoria e Ministrisë së Mbrojtjes të Federatës Ruse që merret me kontrollin e zbatimit të marrëveshjeve, ose Qendra kombëtare për pakësimin e rrezikut bërthamor, ka njoftuar më 22 qershor 2015 se një grup rus do të inspektojë pjesë të territorit të Shqipërisë, më 22-25 qershor 2015, në kuadër të Dokumentit të Vjenës. Agjencia e lajmeve ‘RIA Novosti’, së cilës i referohen fletorja zyrtare e qeverisë “Rossiyskaya gazeta” etj., ka cituar shefin e Qendrës Kombëtare për pakësimin e rrezikut bërthamor Sergej Ryzhkov.

“Në periudhën 22-25 qershor 2015, në kuadër të Dokumentit të Vjenës 2011 për rritjen e besimit dhe sigurisë, një grup inspektorësh rusë po planifikon të kryejë inspektimin e një zone të caktuar në territorin e Shqipërisë”, – thuhet në komunikatën për shtyp të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Sipërfaqja e rajonit të inspektuar është pothuajse 12 mijë kilometra katrorë, njofton agjencia ‘RIA Novosti’.

Po ashtu inspektorët rusë do të vizitojnë rajonet dhe poligonet e stërvitjes, do të informohen për stërvitjen fushore “Biza-2015”, e planifikuar të zhvillohet në Shqipëri në periudhën 20-30 qershor, dhe për njësitë ushtarake të forcave të armatosura shqiptare, që ndodhen në këtë rajon.

/red. e jashtme, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/