Vija bregdetare e Durrësit këto ditë po përballet me fluks të madh pushuesish, sidomos në fundjavë, kjo dhe për shkak të temperaturave përvëluese të këtyre ditëve.
Rritja e numrit të pushuesve shoqërohet edhe me praninë e shtuar të efektivëve të rendit, për të garantuar sigurinë e plazhistëve.
Por krahas policëve vendorë, vija bregdetare dhe plazhet patrullohen edhe nga policë italianë.
Një prej tyre është Leonardo, inspektor i policisë italiane në Bolonja, i cili së bashku me kolegun Ervin, punonjës policie pranë stacionit të policisë në plazhin e Durrësit, ndihmojnë pushuesit vendas dhe të huaj për çdo shqetësim apo problematikë.
Ka qenë Policia e Shtetit që ka postuar një foto të të dyve në profilin e saj në Facebook, të cilin e shoqëron me mesazhin:
“Mirëmëngjes nga Policia e Shtetit!
Jam Ervini, prej 4 vitesh punonjës policie, aktualisht në Stacionin e Policisë në Plazh, Durrës.
Prej rreth 20 ditësh po patrulloj në bregdetin e kësaj zone së bashku me Leonardon, inspektor i Policisë italiane, në Bologna. Bashkë jemi pranë pushuesve vendas e të huaj, duke i ndihmuar për çdo shqetësim që kanë.
Për çdo emergjencë telefono Policinë e Shtetit në numrin falas 112!”





