Shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte ka vënë në lëvizje Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit dhe Drejtoria Rajonale Lezhë, që prej dy javësh kanë nisur monitorimin gjatë orëve të natës, kohë e cila shfrytëzohet më së shumti për marrjen e inerteve nga subjekte apo individ të ndryshëm.

Gjatë kontrolleve të ushtruara janë kapur në flagrancë eskavator dhe kamiona të cilët merrnin materiale inerte përgjatë shtratit të Lumit Mat në mënyrë të paligjshme dhe pa lejen e lëshuar organet kompetente.

IKMT ka ndërmarrë dy masa administrative për dy subjekte në bazë të kompetencave ligjore, ndërsa Drejtori i këtij institucioni Flori Gjini bën me dije se monitorimi do të jetë i vazhdueshem dhe nuk do të ketë tolerime ndaj shkelesve të ligjit.