Babëzia për të zaptuar bregdetin dhe betonizuar çdo sipërfaqe të tij vazhdon të prodhojë konflikte. Këtë fundjavë një objekt banimi dhe shërbimi njëkatësh është prishur nga shërbimet e Inspektoriatit ndërtimor të Durrësit dhe atij të Tiranës ndërkohë që një familje e tërë ka mbetur në qiell të hapur. Objekti njëkatësh që ndodhej në lagjen 1 të qytetit bregdetar, tek “Brryli” ishte në proces legalizimi, ndërkohë që është në vazhdim edhe një proces gjyqësor për pretendimet ndaj tij.

Pas miratimit të ligjit nr. 9482 të datës 3/4/2006 “për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, ndërtuesi i objektit ka aplikuar për legalizimin e tij dhe më 30 mars të vitit 2010 ALUIZN-i Durrës ka nxjerrë lejen për legalizimin e kësaj godine shërbimi dhe banimi që ndodhej në rrugën “Taulantia”, pjesë e zonës kadastrale 8512.

Kundrejt vendimit të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të bashkisë së Durrësit për prishjen e objektit Gjykata e Durrësit pati vendosur të pranojë kërkesën për sigurimin e objektit duke urdhëruar Inspektoriatin e Durrësit të pezullojë prishjen deri në përfundim të shqyrtimit në themel të padisë me objekt anullimin e aktit administrativ të nxjerrë në shtator të vitit 2010 për prishjen e godinës, si objekt i paligjshëm, ndërkohë që muaj më parë ALUIZN-i kishte dhënë miratimin zyrtar për legalizim.

Gjykata e Durrësit gjatë shqyrtimit të padisë çmoi se objekti është i legalizuar dhe nuk përbën më ndërtim të kundraligjshëm siç pretendonte inspektoriati i bashkisë. Gjithashtu në vendimin e gjyqtarit Vladimir Skënderi veçohet dhe një tjetër bazë ligjore, neni 22 i ligjit nr.9895, që përcakton se inspektoriatet ndërtimore dhe urbanistike të bashkisë, komunës dhe qarkut ndërhyjnë për prishjen e objektit me njoftimin nga ALUIZN-i, kur disponuesi i ndërtimit pa leje është sistemuar në ndërtesë.  

Për këtë rast ALUIZN-i  nuk është njoftuar, duke anashkaluar detyrimin ligjor. Jo thjesht për të prishur objektin në mbrojtje të një interesi më të lartë publik, lënies së hapësirave të lira a krijimit të këndeve të lojërave a ndonjë lulishteje buzë detit, po në mbrojtje të interesit të një tjetër subjekti privat ndërtues, ndonëse gjykata e ka shpallur relativisht të pavlefshëm aktin administrativ më 27 shtator 2010. Dy vjet më pas objekti prishet pa njoftim paraprak, me orendi e pajisje brenda.

Fadromat për hapjen e themeleve mbi rrënojat e objektit të prishur janë shfaqur menjëherë për të nisur punën. Katerina, vajza e pronarit të objektit të prishur, Vlash Lalës shprehet se kanë 22 vjet në atë vend dhe nuk do të lëvizin prej aty derisa për të të shprehet ALUIZNI dhe Gjykata. Ndërkohë, sipas Katerina Rasës, një kallëzim penal është bërë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës për dhunë të ushtruar nga policia dhe inspektorët e ndërtimit ndaj bashkëshortit dhe babait të saj, Vlash Lala, gjatë përpjekjeve për të ndaluar prishjen e godinës.