Instalacioni i një tuneli 500 metra të gjatë është realizimi më i fundit i regjisores durrsake Ana Shametaj, me të cilin ajo është paraqitur në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.
“Sot glas”, instalacioni i realizuar nga Shametaj në bashkëpunim me Giuditta Vendrame ka tërhequr jo pak vëmendjen e vizitorëve në Biennale.
Artistja durrsake, që prej shumë vitesh jeton e punon në Itali është frymëzuar për realizimin e këtij instalacioni nga Kleine Berlin, tuneli dhe vendstrehimi i famshëm antiajror që ndodhet në kufirin mes rajonit italian të Venecia Giulia-s dhe Sllovenisë.
Edhe emri i përzgjedhur nga dy artistet për instalacionin e tyre është bashkim i dy fjalëve në italisht dhe sllovenisht (sot nga dialekti friulan (sotto – nën) dhe glas që vjen nga sllovenishtja dhe do të thotë zë).
Instalacioni “Sot glas” konsiston në një tunel tingëllues dhe të ndriçuar, duke risjellë kështu në një konceptim të ri Kleine Berlin, i përdorur shpesh gjatë konflikteve të armatosura si vendstrehim për popullsinë e zonës.
Në formën e sjellë nga dy artistet Shametaj dhe Vendrame, instalacioni rizgjon edhe njëherë në vëmendjen e vizitorëve nocionin e kufirit mes shteteve. Dramaturgjia e tingullit riinterpreton këngët popullore ndërkufitare dhe i fton vizitorët të përhumben në dëgjim, në një labirint fizik, por edhe gjuhësor e muzikor.
Vizitorët duhet të kenë veshur këpucë të mbyllura dhe jo rrëshqitëse, ndërsa është mirë që të kenë me vete bluza të trasha, pasi aty brenda temperatura arrin 15 gradë, ndërsa 90% e mjedisit është i lagësht.
Kleine Berlin është sot tuneli më i madh antiajror në botë akoma aktiv në qendër të Triestes.
Kush është Ana Shametaj?
Megjithëse në moshë të re, Shametaj ka arritur të integrohet më së miri nga ana profesionale në botën e artit, në Ital. Në karrierën e saj artistike në vendin fqinjë, Ana Shametaj është angazhuar kryesisht si regjisore në pjesë teatrale të teatrit avangardë si Teatri Valdoca, Socìetas Raffaello Sanzio, l’Odin Teater Film, Studio Azzurro e Motus etj.
Në vitin 2018 ajo ka qenë regjisore e “Apocalypse WoW!”, i shkruar nga Franco Berardi Bifo, ndërsa në vitin 2019 realizon filmin me metrazh të gjatë “Gli Indocili”, i prodhuar nga Ubulibri dhe Raicinema.
Po në vitin 2019 ajo është një nga regjisore e filmit kolektiv “Under The God”, i prezantuar në edicionin e 72-të të Festivalit të Locarno-s.
Në vitin 2020, Ana Shametaj nis bashkëpunimin me stilisten Elisa Ossino dhe marka të njohura të modës si Hermes. Njëkohësisht 30-vjeçarja punon si regjisore me artistë të kompanisë Ponderosa Music & Art, mes të cilëve Arto Lindsay dhe Ludovico Einaudi.
Aktualisht ajo është drejtoreshë artistike në kompaninë Kokoschka Revival.