TIRANE-Ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2012 është rritur me 2.7 përqind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 ajo është rritur me 2.4 përqind.
Këto janë të dhënat e publikuara sot nga INSTAT në raportin e Produkti i Brendshëm Bruto Tremujor- Publikimi i tremujorit të tretë për vitin 2012”
Sipas INSTAT në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta kanë qenë Posta dhe komunikacioni, Industria dhe Shërbimet e tjera, respektivisht me 21.6 përqind, 11.4 përqind dhe 9.1 përqind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011.
Ndërkaq degët që kanë paraqitur rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm (2011) ishin Ndërtimi dhe Transporti, respektivisht me -16.5 përqind dhe -11.5 përqind.
Në të dhëna të tjera INSTAT shprehet se krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 me rritje u paraqit Industria me 10.3 përqind, Posta dhe komunikacioni me 3.3 përqind, Ndërtimi me 1.4 përqind dhe Transporti me 0.2 përqind.
“Tregtia, Hotele dhe Restorante u shfaq me rënie krahasuar me tremujorin para-ardhës respektivisht me -0.2 përqind. Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 5.6 përqind, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011 dhe 1.3 përqind kundrejt tremujorit para-ardhës.”