Në vitin 2016, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 30,0% të të rinjve gjithsej, raportoi INSTAT në një studim të plotë që i bëri zhvillimeve në tregun e punës për vitin 2016.
Në këtë grup, 39,2% e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (13,1 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (20,0%), ose për arsye të tjera (27,7%).
Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar, as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,6% e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa te femrat kjo përqindje është 28,4%).
Sipas të dhënave të INSTAT-it, forca e punës në grupmoshën 15-29 vjeç përbëhet nga 651 mijë persona. Nga të cilët, mbi 31 mijë persona janë vetëm me arsim fillor, 259 mijë me arsim 8-9-vjeçar, 237.2 mijë me arsim të mesëm dhe 124 mijë me arsim të lartë.
Shkalla e papunësisë në këtë grupmoshë ra në 28,9% nga 33,2% që ishte në 2015-n. Rënia vjen për shkak të reduktimit të forcës së punës për këtë grupmoshë me rreth 40 mijë persona në krahasim me vitin 2015.
Shifrat tregojnë se në grupmoshën 15-29 vjeç, rreth 26 mijë persona janë të dekurajuar, për t’u integruar në tregun e punës.
Shkalla e punësimit në këtë grupmoshë është 32%. Qarqet me punësimin më të lartë të rinjve në vitin 2016 ishin Berati, Elbasani dhe Gjirokastra. Ndërsa qytetet e Lezhës dhe Kukësit ofruan mundësitë më të pakta për të punësuar të rinjtë e moshës 15-30 vjeç. /Monitor/