Rreth 5000 anketues janë në javën e dytë të punës për numërimin e popullsisë dhe banesave në të gjithë vendin.

Instituti i Statistikave (INSTAT) njoftoi sot Censi i cili ka filluar në datën 18 Shtator 2023, po ecën sipas parashikimeve. Procesi zgjat 6 jave gjithsej.

Asnjë problematikë thelbësore nuk është shfaqur gjatë këtyre ditëve dhe angazhimi i INSTAT është maksimal për t’i garantuar çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë të drejtën për t’u numëruar.

Nga informacionet paraprake në terren, qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të marrë pjesë në Cens në të gjithë territorin e Shqipërisë tha Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Znj. Elsa Dhuli.

“Deri më tani nuk kemi hasur në asnjë problematikë apo ankesë të qenësishme për mbledhjen e të dhënave në terren. INSTAT përveç stafit të angazhuar për mbledhjen e informacionit në terren (anketues, kontrollorë dhe mbikëqyrës) ka angazhuar dhe punonjësit e shërbimit civil të INSTAT për të monitoruar dhe dhënë zgjidhje problematikave potenciale në një proces statistikor kaq kompleks siç është Censi i Popullsisë dhe Banesave.

Dua të theksoj që ky është një proces totalisht teknik dhe informacioni i mbledhur nga të gjithë familjet shqiptare është konfidencial dhe i garantuar nga ligji “Për statistikat zyrtare” dhe ligji i “Censit të Popullsisë dhe Banesave”, tha ajo.

Përgjigjet ndaj anketuesve të INSTAT janë detyrim ligjor, por sigurisht një e drejtë qytetare për të kontribuar në zhvillimin e vendit duke marrë reforma dhe politika bazuar në shifra të sakta, tha Dhuli.

Çdo pretendim apo ankesë e çdo qytetari të cilit mund t’i jetë cenuar e drejta për t’u numëruar apo përgjigjur pyetjeve sensitive mbi etninë, fenë dhe gjuhën amtare mund të kontaktojnë në numrin jeshil të vendosur nga INSTAT (0800 22 44) ku deri tani ju informojmë se nuk ka pasur ankesa të tilla nga qytetarët. Ajo tha se INSTAT mirëpret çdo ankesë konkrete nga çdo individ, por theksoj se insinuatat dhe akuzat në ajër nuk e ndihmojnë procesin.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave./Monitor.al