Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se nga muaji prill 2020 deri në muajin mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë, në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja e numrit të vdekjeve ka përfshirë të gjitha qarqet e vendit, por ajo është më e dukshme në qarqet Tiranë, (78%), Fier (63%) dhe Durrës (61%). Rritja e vdekshmërisë duket se përkon me qarqet që gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë pasur edhe një ngarkesë më të lartë me të sëmurë me COVID-19. Në Tiranë më 31 mars kishte 22 mijë të sëmurë të njohur nga autoriteti shëndetësor, pasuar nga Fieri me 2586 vetë dhe Durrësi me 1297 vetë. 

Gjatë këtyre 12 muajve, kanë humbur jetën rreth 31 mijë persona, ndërkohë që në vitin e mëparshëm kalendarik (ose në periudhën prill 2019-mars 2020), humbën jetën 21.8 mijë persona duke shënuar një rritje të vdekshmërisë me rreth 42.7%.

Sipas INSTAT, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021 janë shënuar gjithsej rreth 9,657 vdekje. Nëse i krahasojmë këto shifra me tremujorin e parë të vitit 2020, ku janë regjistruar 6198 vdekje, ato tregojnë shtesë të dukshme të vdekshmërisë.

Rritja e fataliteteve ka qenë e lartë në të gjitha qarqet si në tremujorin e parë 2021, ashtu dhe përgjatë një viti pandemi.

Në tremujorin e parë, rekordin e mban Tirana, ndërsa numri më i ulët ka qenë në Korçë.