Tiranë, 28 mars 2014 – Eksporti i mallrave në muajin shkurt të vitit 2014 arriti vlerën 20 miliardë lekë, duke u rritur me 27,8% në krahasim me shkurtin e 2013-ës dhe 13,6% në krahasim me janarin e 2014, bëhet e ditur nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, INSTAT.

Rritje më të ndjeshme kanë patur eksportet e grupeve “Prodhime druri dhe letre” me 53,6%, “Ushqime, pije, duhan” me 38% dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 33,5%. Eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul me 4,1%.

Në shkurt të 2014-ës importi i mallrave arriti vlerën 39 miliardë lekë, duke u rritur me 17% në krahasim me shkurtin e 2013-s, dhe 11,8% në krahasim me janar 2014. Rritje më të ndjeshme kanë patur importet e grupeve, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 59%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 57,1% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 29,4%. Importi i grupeve, “Ushqime, pije, duhan” u ul me 7,1%.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 19 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7,2% krahasuar me shkurt 2013 dhe 10% në krahasim me janar 2014. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 66,6% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia duke zënë 40,7% të volumit, Greqia 6,9%, Kina 6,4% dhe Turqia 5,7%.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/