11 shkurt 2014 – Instituti i Statistikave ka publikuar botimin me të dhënat mbi ‘Femrat dhe meshkujt në Shqipëri 2013′. Sipas këtij raporti, që nga 1991 ka rënë ndjeshëm lindshmëria, ndërsa femrat kanë jetëgjatësi më të madhe se meshkujt, diferenca ka qenë me 6 vite, por tani është ngushtuar kjo kohë. INSTAT thekson se në Shqipëri dominojnë meshkujt pasi janë më të kualifikuar se femrat ndërsa punësimi për femrat arrin në nivelin 49.5 %, kurse për meshkujt në nivelin 63.2 %. Gjithashtu sipas raportit pjesa më e madhe e femrave janë të punësuara në sektorin e bujqësisë ndërsa theksohet se femrat shpenzojnë 7 herë më shumë kohë, se sa meshkujt në punë të papaguara. Sa i përket dhunës, raporti i Institutit të Statistikave thekson se 59.4 përqind e grave kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë në familje.
INSTAT bën të ditur se botimi u përgatit me ndihmën e partnerëve suedezë ku kësaj here vjen me disa risi nga statistikat gjinore, ku përveç fushave që janë mbuluar dhe me parë si popullsia, lindjet dhe vdekjet, martesat dhe divorcet, arsimi etj, kësaj rradhë janë përfshirë edhe statistika të tjera që kanë dalë nga anketat e ndryshme që ka zhvilluar INSTAT, siç janë të dhënat nga “Anketa e Përdorimit të Kohës”, “Anketa e Dhunës në familje” dhe “Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës”.
Kështu sipas anketimit, për një ditë “normale” pune, 7 ose pak më shumë orë, puna gjithsej e grave e kalon atë të burrave me 2-3 orë. Kjo diferencë thellohet në rastet kur gratë kanë një partner dhe të paktën një fëmijë nën moshën 7 vjeç. Përveç kësaj, femrat shpenzojnë 7 herë më shumë kohë në punë të papaguara se sa meshkujt. Sipas raportit të INSTAT, pjesa më e madhe e femrave janë të punësuara në sektorin e bujqësisë.
Sipas të dhënave, niveli i punësimit të femrave është 49.5%, kurse për meshkujt në 63.2%. Kjo do të thotë se të ardhurat për femrat janë shumë herë më të pakta se sa të ardhurat e meshkujve. Sa i përket dhunës, raporti i Institutit të Statistikave thekson se 59.4% e grave kanë raportuar se, kanë përjetuar dhunë në familje. Pra duket theksuar fjalë kanë “raportuar”, që do të thotë se këtu nuk përfshihet ajo pjesë që nuk e ka bërë të ditur dhunën e ushtruar. Sipas një grafike që është publikuar, dhuna në familje është më e dendur në vitin e dytë dhe tretë të martesës dhe vjen në rënie në vitet në vazhdim. E vetmja pikë pozitive për femrat, është se ato kanë jetëgjatësi më të madhe se meshkujt.





