Tiranë, 11 mars 2014– Sipas INSTAT, shkalla e papunësisë në vend arriti në 17% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Rritja ka qenë e vazhdueshme sipas INSTAT dhe numri i të papunëve u përshpejtua veçanërisht vitin e kaluar. Për një vit papunësia kaloi nga 14.4% në 17% sipas INSTAT.
Anketa Tremujore e Forcave të Punës flet për gati 190 mijë persona në gjendje pune e që nuk kanë një punë. Shqetësuese është fakti që tek femrat, papunësia është rritur me ritme të shpejta, ndërsa sektori më problematik rezulton ndërtimi.
Në një vit shkalla e punësimit ka zbritur me 6 pikë përqindje sipas INSTAT. Kështu, nga 48.6 % që ishte ky tregues në fund të vitit 2012, zbriti në 42.6% në fund të vitit 2013. Shqetësuese vlerësohet të jetë prirja në përkeqësimin e këtyre treguesve, çka nënkupton vazhdimin në po këto kahe negative edhe gjatë këtij viti, nëse nuk ka ndërhyrje efektive në politikat e punësimit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





