Papunësia te të rinjtë u rrit gjatë vitit 2021. INSTAT ka publikuar raportin për tregun e punës ku rezulton se të punësuar janë 1.411.308 persona, femrat përbëjnë 44,5% të të punësuarve dhe meshkujt 55,5%. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 162.560 persona, ndër të cilët 45,5% janë femra dhe 54,5% janë meshkuj.
Në vitin 2021, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 26,1% të të rinjve gjithsej, shkalla e papunësisë të të rinjtë është rritur me 0,6%.
Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2021, për të gjtihë popullsinë e rritur, është 11,5% dhe shënon një ulje me 0,2% krahasuar me vitin 2020.
Qarqet me shkallë punësimi më të lartë janë: Gjirokastra me 65,6% dhe Elbasani me 62,2%. Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë qarku i Lezhës me 36,6% dhe i Dibrës me 42,7%.
Sipas statistikave të INSTAT për vitin 2021, vetëm 5.4% e të punësuarve në vend marrin më shumë se 120 mijë Lekë në muaj. Gjatë vitit të shkuar, 32,7% e kontribuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare 30 mijë Lekë.
Më të paguarit rezultojnë menaxherët, ligjvënësit e nënpunësit e lartë të administratës shtetërore, ndërsa më të keqpaguarit mbeten të punësuarit në sektorin e bujqësisë. Hendeku gjinor në paga është 4,5%, gratë paguhen më pak se meshkujt për të nëjtën punë.
Por shqiptarët edhe pse paguhen pak, punojnë me kohë të zgjatura. Sipas Eurostat shqiptarët punojnë me rreth 43.3 orë në javë, më shumë nga të gjithë punojnë turqit, me 46.4 orë, më pak në Europë punojnë holandezët, me 29.3 orë në javë.