Shqiptarët kanë udhëtuar më pak se vitin e kaluar në tre muajt e parë të 2013-s. Duket se arsyet e kufizimit të daljes jashtë vendi për pushime apo për të vizituar të afërmit është ekonomike. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë të 2013 lëvizjet e shqiptarëve drejt vendeve të tjera është ulur 3.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënien më të madhe e kanë shënuar daljet nga deti, që kanë rënë me 17 për qind në tremujorin e parë 2013, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga të dhënat mësohet se, shqiptarët kanë prerë dhe më pak bileta avioni, teksa daljet nga ajri kanë rënë me rreth 4 për qind me bazë vjetore në tre muajt e parë të vitit.
Udhëtarët vendas e kanë pasur më të lirë të udhëtojnë me automjetet e tyre nga kufiri tokësor, kryesisht drejt Greqisë, të cilat kanë shënuar rënien më të ulët, me rreth 2 për qind për periudhën në fjalë.
Në të kundërt, hyrjet e vizitorëve në Shqipëri në tremujorin e parë 2013 janë rritur 18.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga toka, hyrjet e të huajve zënë 82.3 për qind të ndjekur nga hyrjet nga ajri dhe deti respektivisht me 13.5 dhe 4.2 për qind.
Ndërkohë, kriza ekonomike reflektohet edhe në sektorin e turizmit, ku rezultojnë më pak prenotime se vitin e kaluar, të paktën nga vëzhgimet e 15-ditëshit të parë të muajit korrik.





