Institucionet e Kosovës kanë blerë pajisje të teknologjisë informative (TI) me specifika të larta, pa i konsultuar specialistët e kësaj fushe nëse të njëjtit kanë qenë të nevojshëm për një vend pune, shkruan sot Koha Ditore. Blerje të tilla të pajisjeve me performanca të larta ka ndikuar në ngritjen e kostos së tyre, rrjedhimisht shpenzimeve të buxhetit, thuhet në raportin
Auditorit të Përgjithshëm në auditimin e performancës për “Furnizimin me pajisje të teknologjisë informative në institucionet publike”.
Ky raport përshkruan menaxhimin e shpenzimeve për Teknologji Informative (TI) në institucionet e Republikës së Kosovës. Në tri vitet e fundit për pajisjet e TI-së ishin shpenzuar mesatarisht rreth 9.5 milionë euro në vit nga të gjitha organizatat buxhetore, apo 29 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve për pajisje të TI-së apo 78 për qind të tyre e përbëjnë ministritë, 8 për qind komunat dhe 14 për qind organizatat e tjera.
Auditori thekson se në disa raste ka pasur dallime të mëdha në çmimet. E për të këto dallime janë të pajustifikueshme dhe kanë efekte ekonomike direkte negative për institucionet dhe taksapaguesit.
Për më tepër, ZAP-i ka gjetur se ekzistojnë dallime të konsiderueshme në çmimet e tre artikujve (kompjuter, laptop dhe makinë fotokopjuese) me karakteristika teknike përafërsisht të ngjashme, të blerë nga institucione të ndryshme qeveritare.