Riparimi i defekteve në rrjetin e kanalizimeve, tubacioneve të ujit të pijshëm, linjave të internetit dhe atyre elektrike etj shpeshherë lind domosdoshmërinë e ndërhyrjeve në shtresat asfaltike të rrugës apo në trotuare.

Dhe pasojat janë këto që shohim çdo ditë në rrugët kryesore dhe ato dytësore të Durrësit, si në lagjen nr.16, në lagjen nr.18 etj.

Gropa të stërmëdha në anë të rrugëve apo trotuare, që qëndrojnë në këtë gjendje për muaj të tërë. Për qytetarët, ato janë një burim i vazhdueshëm aksidentesh.

“Këtu kalojnë dhe furgonë, ose autobusë të mëdhenj dhe gurët mund të dalin nga rruga dhe të godasin jo vetëm makinat, se ato hekura janë, po godasin njerëzit.

“Janë problem për shumë arsye. Problemi i parë është që prishet makina, bëhen burim aksidenti, sepse devijojnë makinat. Këtu ka ndodhur që na ka përfunduar makina në trotuar”.

“I kanë hapur për të bërë kanalizimet dhe i kanë lënë.”

“U bë një muaj e ca që se kanë mbyllur. Përbën shumë problem për aksidente”.

Rikthimi i rrugës apo trotuareve në gjendjen e mëparshme është minimalja që duhet të bëhet në këto raste, por pikërisht këtu fillon pingpongu institucional, sepse Ndërmarrja e Ujësjellësit apo OSHEE si dhe Ndërmarrja Rruga ia hedhin topin njëra-tjetrës. Institucionet shtetërore kryejnë ndërhyrjet më të shpeshta në akset e qytetit dhe janë pikërisht ata dëmtuesit kryesorë të këtyre rrugëve.

Në fund janë qytetarët ata që vuajnë pasojat dhe pavarësisht se paguajnë taksat për të marrë shërbime, ato i marrin të cunguara.

Qytetarët kanë vetëm një apel.

“Të marrë masa bashkia, se nuk ëhstë vetëm kjo gropë. Ka shumë të tilla nëpër lagje”.

“Të rregullojnë rrugët, është gjëja kryesore. Të mos vdesin njerëzit”.

M.B.