Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita, nga Durrësi ka folur në lidhje me sheshin “Veliera”, i cili ka mbetur peng i vendimeve gjyqësore. Përzhita tha se Durrësi është çelësi i portës së historisë dhe arkeologjisë shqiptare, si një prej qyteteve i cili daton 3 mijë vjet më parë.
“Instituti i Arkeologjisë e ka dhënë fjalën e tij të fundit, të gjitha zbulimet arkeologjike në këtë shesh pranë Torrës Veneciane duhet të ruhen e të bëhen të vizitueshme për vizitorët”,- tha drejtori i Institutit të Arkeologjisë.
Por Përzhita nuk di të thotë më shumë në lidhje me fatin e sheshit, i cili ka mbetur peng i çështjeve gjyqësore.
Në Durrës është duke u mbajtur konferenca shkencore “Kultet e Adriatikut”, e cila ka mbledhur ekspertë të Institutit të Arkeologjisë në bashkëpunim me Shkollën franceze të Romës dhe Universitetit Ausonius-Bordeaux-Montaigne, përfaqësues nga ambasada franceze, arkeologë e historianë të njohur nga Shqipëria, Kroacia, Franca, Italia dhe Sllovenia.
Në këtë takim të specialistëve të Adriatikut nga Shqipëria, Kroacia, Franca, Italia dhe Sllovenia, synohet të hartohen sinteza të reja dhe të inkurajohen hulumtimet e reja në fushën e besimeve, brenda kësaj hapësire të gjerë, e cila është njëherazi një vend shkëmbimesh intensive dhe një mozaik rajonesh dhe popujsh të ndryshëm.
Në të njëjtën kohë, është një mundësi e mirë për t’u njohur me të dhëna të reja, apo për të ritrajtuar të dhënat ekzistuese, duke i botuar ato me rigorozitet. Ky takim është një rast i mirë, si për kumtuesit, ashtu edhe për prezantuesit e posterave, për të botuar harta të shpërndarjes së kulteve sipas fazave kronologjike, bazuar në të dhënat sasiore.
K.H.





