Banorët e pallatit nr. 8 në lagjen 5 në Durrës, te rruga “Stefan Dhima”, kanë dalë për të dytën herën në protestë, pasi kërkojnë ekspertizë të thelluar për objektin ku ata jetojnë, duke shprehur pasiguri dhe frikë për jetën e tyre.

Sipas këtyre banorëve, pallati i cili ka dalë me dëmtime DS2, në të vërtetë nuk është në gjendje për riparime, por duhet të bëhet klasifikim tjetër, pasi është i paqëndrueshëm. Ky fakt iu është pohuar nga ana e ekspertëve dhe inxhinierëve privatë që kanë marrë, teksa i luten Prokurorisë që të mbarojë sa më shpejt të gjitha ekspertizat, dhe mos humbasë kohë se do jetë fatale për jetën e 50 familjeve.

Banorët shprehen njëzëri para kamerave, se është e frikshme të jetosh në atë pallat, pasi ai vazhdon të çedojë me kalimin e ditëve dhe pas tërmeteve me magnitudë të vogël që bien. Bashkim Gjika, njëri rej banorëve, thotë se ky pallat në matjen e parë ka rezultuar se ka çeduar 41 cm, por prej dy javësh ka dalë 51.5 cm.

“Jemi në rrezik të madh, ka shumë banorë që banojnë brenda. Ne kërkojmë që të shembet pallati se po na zë kalamajtë brenda. Ne jetojmë aty brenda. Eksperti që ka kryer matjet në nëntor i ka nxjerrë me 41 cm çedim, ndërsa nga matja që është bërë dy javë më parë ka dalë me 51.5. Vazhdon të çedojë, sepse edhe nga nga mbrëmja e 1 qershorit kur ra sërish tërmet, ka lëvizur prapë. Në bazë të aktit të ekspertimit, pallati ka dalë me DS2, kur ky është për DS4 apo DS5, të shembet urgjent. Instituti i Ndërtimit e ka nxjerrë të banueshëm, ndërsa Prokuroria e ka nxjerrë të pabanueshëm”, shprehet Gjika.

“Janë bërë dy ekspertiza nga ana e Prokurorisë dhe po vonohen për t’u bërë ekspertizat e tjera, kur duhet nxituar që të dalë vendimi sa më parë për këtë pallat. Nga datat e para që janë bërë ekspertizat më të fundit, faktohet se pallati ka ikur jashtë mase, dhe është shumë i paqëndrueshëm. I lutemi Prokurorisë të mbarojë sa më shpejt të gjitha ekspertizat, mos humbasë kohë se do jetë fatale”.

Bashkia na ka nxjerrë për përfitim DS2 sipas listave që ata kanë, në një kohë kur nuk mund të flasim për riparime, kur pallati ka çedim. Inxhinierët na thonë se ky pallat është problem për jetën, mjaft që ju shpëtoi njëherë jetën… kërkojmë më shumë transparencë nga institucionet”, shprehet i shqetësuar një tjetër banor.

S.L.