Ditën e martë në Kosovë ka nisur vaksinimi i punëtorëve të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Në prishtinë në sallën “1 Tetrori” vijon vaksinimi kundër Covid-19 i punëtorëve punëtorëve shëndetësor të kujdesit primar.
Shefja për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Edita Goranci-Haxhiu, u tha gazetarëve se që nga dita e enjte ( 1 prill) vaksinimi kundër COVID-19 do të fillojë edhe në komuna tjera të vendit.
“Sipas planit shtetëror të imunizimit janë planifikuar tri faza të vaksinimit, deri 70 % e popullatës parashihet të vaksinohet deri në fund të vitit, varësisht prej dërgesave të vaksinave që do t’i sigurojmë”, tha Goranci-Haxhiu, duke shtuar se 280 punëtorë do të angazhohen në ekipet e vaksinimit në tërë Kosovën.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, tha se vaksinimi do të ndihmojë në uljen e shkallës së të infektuarve, por kjo do të marrë kohë.
“Jemi në situatë të rëndë, mbi 900 pacientë po trajtohen, 37 në gjendje kritike dhe rreth 700 me oksigjeno terapi”, tha Krasniqi.
Kosova ka pranuar të dielën 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.
Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.
Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Në Federatën e Sindikalistëve të Shëndetësisë në Kosovë është shprehur më herët se ka dyshime se vaksinimi i qytetarëve do të mund të realizohet në mënyrë të drejtë, sidomos kur është fjala për personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.
Sistemi i Informimit Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.





