Një tjetër sondazh në prag të zgjedhjeve, por kësaj here i realizuar me intervista të drejtpërdrejta, që janë më të sakta në sondim, dhe jo me telefonata. PS është forcë e parë politike, ndërsa koalicioni i majtë udhëheq me 9 pikë avantazh

TIRANE, 8 maj 2013– Vizion Plus publikoi shifrat e sondazhit të parë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, te realizuar nga instituti italian Piepoli.

Sondazhi sjell orientimin e votës së shqiptarëve në prag të procesit elektoral të 23 qershorit.

1651 intervista të realizuara sy me sy në të gjithë territorin shqiptar, përbëjnë kampionin e përzgjedhur nga ky institut për të arritur në rezultatet përfundimtare.

Sondazhi i parë lidhur me orientimin e votës nxjerr fitues koalicionin e majte me 49% të votave në të gjithë vendin. Ndërsa koalicioni i djathtë, nëse do të votohej sot, do të fitonte vetëm 40% të votave.

Sondazhi nxjerr fituese dhe si force politike Partinë Socialiste me 40% të votave kundrejt 35% të Partisë Demokratike.

Me tej sipas renditjes sondazhi nxjerr 2 parti të treta me numër të barabartë votash, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Frymën e Re Demokratike, që kanë siguruar secila 6 përqind të elektoratit.

Sondazhi i institutit Piepolo vazhdon më tej me Aleancën Kuqezi 5 përqind, ndërsa Partia Republikane në koalicionin e djathtë fiton 3 përqind të votave sipas sondazhit.

Dy koalicionet, ai i majtë dhe ai i djathtë, sigurojnë nga 3 përqind të votave prej partive të tjera të vogla të përfshira në koalicione.

Instituti Piepoli do të realizoje nga tani e deri në qershor 3 here kërkime mbi këto çështje.

Sondazhi ka pyetur shqiptarët se si e vlerësojnë punën e qeverisë aktuale. Si konkluzion thuhet se shumica janë të pakënaqur me punën e ekzekutivit shqiptar. 60% mendojnë se qeveria nuk po shkon në drejtimin e duhur. Të pasigurt nëse po bëhen hapa pozitivë janë 17 përqind e të intervistuarve. Të kënaqur janë 7 përqind. Ndërsa 16 përqind e tyre nuk kanë një opinion.

Tjetër pikë e sondazhit, që është jetesa në Shqipëri, sjell rezultate pesimiste. 32 përqind e të anketuarve mendojnë se në Shqipëri jetohet keq, ndërsa 29 përqind janë përgjigjur se jetohet shumë keq. Më optimistë janë 17 përqind e shqiptarëve që flasin për një jetesë të mirë. Ndërsa 7 përqind jetojnë shumë mirë. 16 përqind e të anketuarve nuk kanë një opinion mbi këtë pyetje.

Instituti Piepoli ka marrë opinionet e shqiptarëve dhe mbi ekonominë e këtij viti krahasuar me një vit më parë, ku më shumë se gjysma, 53 përqind e tyre mendojnë se 2012-ta ka qenë vit më i keq se 2011-ta. Për 16 përqind ka qenë njësoj, për 19 përqind më i mirë, ndërsa 22 përqind nuk kane një opinion.