Nga Gertjana Daçi
Pandemia e Covid-19 e ka ndryshuar jetën tonë tërësisht. Pjesë e këtyre ndryshimeve është sigurisht edhe mënyra sesi do të ushtrohen pas shërimit ata individë që janë infektuar me koronavirus, për ta rikthyer organizmin në gjendjen e mëparshme.
Siç e dimë, virusi i rrezikshëm lë pasoja në shëndet dhe ndaj imuniteti duhet forcuar me ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik.
Instruktori i njohur në Durrës, Ani Dedja thekson se ushtrimi i sportit krahas forcimit të imunitetit ndihmon edhe në lënien pas të traumës që shkakton Covid-19.
Sipas Dedjas, përcaktimi i seancës stërvitore për ata që janë në fazë rikuperimi përcaktohet në bazë të kartelës mjekësore të çdo individi, duke përfshirë ushtrime kardiovaskulare, aerobike apo gjimnastikore.
“Mushkëritë e këtij individi arrijnë të mirë oksigjenohen, trupi arrin një oficencë optimale të parametrave muskulore. Të gjitha këto përbëjnë atë të qënurit imun, gëzon një shëndet të plotë. Përcaktimi i seancës stërvitore, pasi kanë marrë dhe vizitat mjekësore, ne këtu parashikojmë nëpërmjet ushtrimeve kardiovaskulare rritjen e sistemit imunitar kardiak, me ushtrime aerobike, të cilat ndikojnë direkt në imunizimin e shëndetit të individit. Pasojat që lë Covid-i, me anë të ushtrimeve fizike, ushtrimeve aerobike, ushtrimeve gjimnastikore ndikojnë në imunizimin dhe forcimin dhe lënien pas të kësaj traume.”, shprehet instruktori ndërsa këshillon që të gjithë të praktikojnë lojëra në grupe.
Por krahas personave që duhet të riforcojnë imunitetin pas infektimit me Covid, me ardhjen e stinës së verës, të shumtë janë ata që i drejtohen palestrës për të krijuar muskujt e ëndrrave.
Madje, disa stërviten intesivisht që këto ëndrra t’i bëjnë realitet dhe stinën e nxehtë ta presin me ballin lart!
Sipas instruktorit Dedja, koha për t’u stërvitur përcaktohet në bazë të një testi BMI-e, testi fizik dhe nxjerrja në pah e muskujve nuk është e përcaktuar në një formulë fikse.
“Muskujt kanë memorie. Në momentin që ti je ushtruar është shumë e thjeshtë për t’i evidentuar prap, në momentin që nuk je ushtruar faktori kohë është shumë deciziv në përcaktimin e një treguesi antropometrik që dikush që ushtrohet të arrijë t’i evidentojë këto muskuj. Koha për t’u stërvitur përcaktohet në bazë të një testi BMIE, testi fizik, i cili përcakton ngarkesën, kohën, raportin punë-pushim për çdo individ. Pra nuk është diçka fikse dhe nuk është e përcaktuar në një formulë fikse. Çdo njeri ka formulën e tij, nëpërmjet kësaj formule ne arrijmë të zbardhim skemën e punës.”, thotë ai ndërsa thekson se rezultatet vijnë atëherë kur ke frekuentim të lartë dhe serioz të seancave stërvitore.
Por për instruktorin Dedja, nuk ka rëndësi nëse e ke kaluar koronavirusin apo jo! Sipas tij, në situatën që ndodhemi për shkak të pandemisë është shumë e rëndësishme që të gjithë njerëzit të stërviten, për dy arsye; kujdesi për shëndetin dhe mbushja e kohës.





