Ambasadorja e Holandës në vendin tonë, Guusje Korthals Altes ishte në Shkodër në një ekspozitë kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga ku deklaroi se Holanda është duke studiuar raportin që ka dërguar Komisioni Europian për progresin e Shqipërisë sa i përket anëtarësimit në BE.
“Në këtë moment Holanda është duke studiuar raportin që ka dërguar Komisioni Europian për progresin e Shqipërisë”, tha ajo shkurtimisht rreth kësaj çështjeje.
Kujtojmë që Holanda është një vend që i ka thënë disa herë “Jo” anëtarësimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë.
Ndërkohë ambasadorja Altes foli për fenomenin e trafikimit të qënieve njerëzore, ku tha se duhen gjetur mënyra për të folur dhe për ta mbajtur të hapur diskutimin për këtë çështje. Ajo u shpreh se femrat e trafikuara duhet të dëgjohen, të pranohen dhe mbi të gjitha të mos fajësohen për atë çfarë ju ka ndodhur.
“Trafikimi është një problem që ndodh në të gjitha vendet e botës përfshirë edhe Holandën dhe mendojmë hapi i parë për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore është që të flasim për të. Zakonisht kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe e vështirë për të folur për të dhe në këtë mënyrë kemi filluar të bashkëpunojmë me qendrën ‘Tirana Art’ për të filluar dhe për të përdorur artin si një mënyrë për të nisur diskutimin rrethe çështjeve të trafikimit. Edhe pse kemi përdorur format e artit sërish është e vështirë që të dalin hapur dhe të folin në mënyrë të hapur dhe pa drojë për këtë çështje. Unë shpresoj që në do të vazhdojmë të gjejmë mënyra që të gjejmë mënyra për të folur dhe për të mbajtur të hapur diskutimin për çështjet e trafikimit dhe për të kapur sinjale sepse është shumë e rëndësishme që për gratë dhe vajzat e trafikuara të dëgjohen, të pranohen dhe mbi të gjitha të mos fajësohen për atë çfarë ju ka ndodhur. Është shumë e rëndësishme që të vijojmë me aktivitete të tilla që mbajnë diskutimin hapur pasi është përgjegjësi e komunitetit për ta pranuar dhe për ta adresuar si një fenomen që ndodh. Mesazhi im që dua të të përcjell për ju sot sidomos për të rinjtë është që në qoftë se ata shohin diçka që nuk shkon është më mirë që sa më herët të shkojnë dhe të flasin me dikë që ata i besojnë në mënyrë që nesër të mos jetë shumë vonë. Të gjithë hallkat e të gjitha organeve ligjzbatuese në Shqipëri të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që pandëshkueshmëria të mos jetë një realitet po të gjithë ata që janë pjesë e trafikimit të marrin dënimin që meritojnë sepse është detyra e të gjithëve ne duke filluar nga unë, komuniteti, institucionet, të gjithë e kemi për detyrë që t’i japim një dorë për ta ndaluar fenomenin e trafikimit. Ne kemi hapur diskutimin dhe do e vijojmë deri sa ta ndalojmë”.
Ambasadorja deklaroi se mes organeve ligjzbatuese në Shqipëri dhe Holandë ka një bashkëpunim, i cili është fuqizuar vitet e fundit.
“Midis të gjitha organeve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Holandës ka një bashkëpunim dhe ka pasur çështje që janë adresuar si këtu, në Holandë apo vende të tjera. Vitet e fundit bashkëpunimi mes organeve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Holandës është fuqizuar dhe shpresojmë që të vijojë edhe më tutje”, tha ambasadorja holandeze.





