MAQEDONI – Opozita shqiptarëve në Maqedoni ka kërkuar që partia e Ali Ahmetit të braktisë Qeverinë, pasi Këshilli i Ministrave të BE-së nuk i caktoi vendit datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. 

“Mashtrimi që u bëhet për vitin e pestë, në veçanti shqiptarëve nga e BDI-së për integrim të Maqedonisë dhe premtimi që u është bërë, dje mori një përgjigje konkrete dhe ajo është një dështim fatal për procesin e integrimit. Kërkojmë nga BDI të ndërmarrë hapa konkretë dhe të lëshojë Qeverinë”,- dekaroi Ymer Aliu, deputet i PDSH-së. 

Në dallim nga opozita, zv/kryeministrja për euro-integrimin Teuta Arifi, ka parë sukses në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, që u mor të martën për Maqedoninë e ku vendit nuk iu caktua datë për fillimin e negociatave. 

“Pas 4 vitesh të status quo-s në këtë proces, dje Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi një kornizë të qartë për negociatat aderuese të Maqedonisë e cila ka rëndësi thelbësore për procesin europian për vendin tonë”, thotë Teuta Arifi, zv/kryeministre për eurointegrime në Maqedoni. 

Pavarësisht këtij prononcimi të znj. Arifi, nga vendimi i ministrave të BE-së nuk kanë ngelë të kënaqur as disa nga anëtarët e kryesisë së BDI-së, partisë që i takon zv/kryeministrja për eurointegrimin. 

Maqedonia që në vitin 2005 mori statusin e vendit kandidat, por avancimi i mëtejshëm është bllokuar nga Greqia për shkak të problemit me emrin.