TIRANË, 13 shkurt 2013 – Zyrtarët shqiptarë besojnë se përpjekjet për integrimin e vendit në BE do të jenë të paprekshme nga vendimi i Entit Rregullator të energjisë për t’i hequr licencën grupit çek të energjisë ÇEZ të përdorë rrjetin elektrik shqiptar.
“Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme është e bindur se çështja e ÇEZ-it do të zgjidhet nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Republikës Çeke”, tha për portalin shumëgjuhësh “SETimes” Eva Kushova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
“Ky është problem i natyrës tregtare, për shkak të dështimit të ÇEZ-it për të respektuar detyrimet kontraktuese”, tha për mediet shqiptare Edmond Haxhinasto, zëvendës/-kryeministër.
ÇEZ-i ka nisur arbitrazhin ndërkombëtar mbi çështjen.
Petër Neças (Peter Nečas), kryeministri çek, tha se mosmarrëveshja mund të dëmtojë shanset e integrimit në BE të Tiranës.
“Për të qenë pjesë e BE-së, Shqipëria duhet të tregojë se është një vend që respekton shtetin e së drejtës. Parakushti thelbësor për çdo vend që aspiron të bëhet një anëtar i Bashkimit është aftësia për të siguruar shtetin e së drejtës e një mjedis të shëndetshëm investimi, duke përfshirë mbrojtjen e investimeve të huaja”, tha Neçasi.
Qeveria çeke zotëron dy të tretat e ÇEZ-it.
ÇEZ-i nuk deshi të komentonte nëse Republika Çeke do të kushtëzojë integrimin e Shqipërisë në BE, duke thënë se kjo është më shumë një çështje politike, gjë për të cilën nuk do të komentojë.
“Nga pikëpamja e biznesit, për investitorët e huaj gjendja e ÇEZ Albania mund të jetë një sinjal i qartë se vendi është një mjedis i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm biznesi”, tha për “SETimes” Barbora Pulpanova, zëdhënëse e grupit ÇEZ.





