16 maj 2015 – Duma-Shqina aplikacion risi në celular
Deri tani fushata elektorale në Durrës ka ofruar dy risi. Që të dyja janë nga fusha e marrëdhënieve me publikun, duke zbatuar teknologjitë dhe trendet më avangardë veçanërisht në fushën e elektronikës dhe informatikës.
Kandidatja Duma-Shqina ka bërë të mundur nëpërmjet një aplikacioni të quajtur “Grida Duma për Durrësin”, që durrsakët me celularë android, të ndjekin fushatën e saj, facebook-un e saj, video dhe foto të aktiviteteve të saj elektorale direkt e nga celularët personalë. Mbeten në pritje durrsakët me telefona Apple, që një aplikacion i tillë të bëhet i aksesueshëm edhe nga kjo markë celularësh.
Kandidati Dako ka futur trendin e fotove “Selfie” ( të panjohura edhe në vendet më të përparuara europiane deri 3-4 vjet më parë). Njëlloj siç bëhen foto “selfie” me këngëtarë, aktorë apo sportistë të shquar, tashmë ka hyrë në modë në Durrës bërja e të tilla fotove me kandidatin Dako. Pas çdo takimi me grupe interesi, pas çdo inagurimi punësh publike, që bën kryebashkiaku Dako vijojnë seancat me “selfie” me fansat e vet. Të tilla foto nuk bëhen vetëm me adoleshentë të ekzaltuar apo funksionarë të FRESH-it të Durrësit. Tashmë edhe për intelektualët e majtë durrsakë po bëhet gjithnjë e më e modës një foto “selfie” me idolin e tyre, Vangjush Dakon.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/