Inteligjenca Artificiale dhe rrjetet sociale, duket se janë arma e fortë e Kinës. Microsoft-i ka paralajmëruar se Kina do të tentojë të prishë zgjedhjet në SHBA, Korenë e Jugut dhe Indi këtë vit me përmbajtje të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (AI).
Gjigandi teknologjik thotë se grupet kibernetike të mbështetura nga shteti kinez priten të shenjëstrojnë zgjedhjet e profilit të lartë në vitin 2024. Sipas raportit të publikuar të premten thuhet se është e përfshirë edhe Koreja e Veriut.
“Teksa popullatat në Indi, Kore të Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do t’i drejtohen votimeve, me shumë mundësi do të shohim aktorët kibernetikë dhe influencues kinezë si dhe disa aktorë të jashtëm kibernetik të Koresë së Veriut që të punojnë drejt targetimit të këtyre zgjedhjeve”, thuhet në dokument.
Sipas Microsoft, Kina do të krijojë dhe shpërndajë nëpërmjet rrjeteve sociale përmbajtje që i interesojnë pozitave të saj në këto zgjedhje që konsiderohen të profilit të lartë. Kompania tha se impakti që kanë përmbajtjet e krijuara me AI janë të vogla, por paralajmëroi se mund të ndikojnë.
“Teksa impakti i përmbajtjeve të tilla në audiencat e lëkundura mbetet i vogël, eksperimentimi në rritje i Kinës në video, meme dhe audio do të vazhdojë dhe mund të rezultojë efektiv”, tha Microsoft.
Sipas gjigantit teknologjik, Kina ka provuar ndërkohë të dezinformojë fushatën presidencale në Tajvan në Janar me përmbajtje të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Kompania amerikane tha se kjo ishte hera e parë që shikonte një entitet të mbështetur nga një shtet që përdorte përmbajtje të AI për të influencuar zgjedhjet e një shteti të huaj.
Sa i përket SHBA-së, Microsoft thotë se grupet kineze vazhdojnë të rrisin influencën në fushatën në SHBA. Thuhet se aktorët e mbështetur nga Kina përdorin rrjetet sociale për të nxitur “pyetje përçarëse” dhe të tentojnë të kuptojnë çështjet që ndajnë votuesit amerikanë.